OMSH: “Monstra”, pasojë e diskriminimit të vazhdueshëm

Maqedonia

OMSH: “Monstra”, pasojë e diskriminimit të vazhdueshëm

Më: 16 korrik 2014 Në ora: 14:03

Oborri Mbretëror Shqiptar (OMSH) përmes një deklarate sërish ka shprehur shqetësime për zhvillimet e fundit në Maqedoni, pas protestave të shqiptarëve dhe kërkesave të tyre.

”I ndjekim me vëmendje zhvillimet në Maqedoni. Vlerësojmë se protestat e fundit kundër vendimit arbitrar gjyqësor për rastin ‘Monstra’ janë pasojë e një diskriminimi të vazhdueshëm që u bëhet shqiptarëve.

Edhe njëherë ky vendim nxori në pah se institucionet e Maqedonisë vazhdojnë të veprojnë me mendësinë e vjetër të majorizimit. Mllefi i shqiptarëve të atjeshëm vjen si pasojë e diskriminimit të vazhdueshëm në arsim, art, kulturë, ekonomi, shëndetësi, infrastrukturë , gjyqësi etj.

Mosbesimi i shqiptareve ndaj institucioneve të shtetit dhe sidomos ndaj gjykatës është i bazuar në fakte reale dhe veprime reale të institucioneve. Vetëm projekti kontrovers ‘Shkupi 2014’ dhe rasti i procesit të montuar Sopoti flasin shumë”, thonë në OMSH.

“Ne inkurajojmë inteligjencien shqiptare të japë kontributin e saj për eliminimin e shkaqeve që sjellin deri tek këto pasoja. Rikujtojmë politikën maqedonase se nuk e kanë dhe nuk do ta kenë mbështetjen e faktorit ndërkombëtar për mendësi të vjetër politike dhe për majorizim.

Nuk e ka dhe nuk do ta ketë mbështetjen e faktorit ndërkombëtar dhe as tonën për majorizim, për ndërtim të shtetit monoetnik në një shoqëri multietnike dhe me diversitet kulturor. Inkurajojmë inteligjencën e shqiptarëve në Maqedoni të japin kontributin e tyre në demokratizimin e partive politike dhe përfaqësimin më të denjë politik të interesit të shqiptarëve.

Kërkojmë nga faktori ndërkombëtar si garant i Marrëveshjes së Ohrit , të përdorin të gjitha mekanizmat për t`i dhënë fund kësaj loje që ndodh për më shumë se një dekadë.

Vlerësojmë se Qeveria e Maqedonisë me majorizimin dhe diskriminimin që u bën shqiptarëve atje dhe me sjelljen arrogante ndaj fqinjëve bëhet nxitëse e destabilizimit politik dhe nxitëse e konflikteve”, thonë në OMSH.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat