Këshilli i “Monstrës”: Më të fortë kur të na bashkëngjiten edhe ministra, deputetë...

Maqedonia

Këshilli i “Monstrës”: Më të fortë kur të na bashkëngjiten edhe ministra, deputetë...

Më: 16 korrik 2014 Në ora: 13:00

Këshilli Organizativ Koordinues për rastin “Monstra”, kaftuar shqiptarët që të vazhdojnë të përkrahin protestat paqësore, përmes së cilave siç thuhet, “botërisht u demaskua dhuna shtetërore që qeveria maqedonase e ushtron mbi popullin e pafajshëm shqiptar”.

“Liria, si e drejtë elementare njerëzore nuk ka çmim, ajo edhe pse është e garantuar me ligj, përsëri ligjet dhe pushtetin po i keqpërdorin ata të cilët duhet të kujdesen për to.

Familjarët tanë, sikur edhe shumë shqiptarë nga raste tjera të montuara siç janë Sopoti, Brodeci etj, vazhdojnë të jenë viktimë e sajimeve politike nga ana e pushtetit maqedonas, gjithnjë me të vetmin qëllim, paraqitja e shqiptarëve si element radikal dhe destruktiv.

Prandaj, në protestat e deritanishme kanë marrë pjesë qytetarët e të gjitha profileve dhe shtresave shoqërore, me ç’rast ne publikisht në emër të të gjithë familjarëve i falënderojmë përzemërsisht për durimin dhe vullnetin e madh që kanë për zbardhjen e plotë të rastit të montuar politik ‘Monstra’”, thonë nga Këshilli organizativ.

“Jemi shumë mirënjohës për qëllimin fisnik dhe për përkrahjen publike në protesta nga ana e personaliteteve publike të përfolur ditëve të fundit, siç janë Kim Mehmeti, Nuri Seferi, Hisni Shaqiri, Fejzi Hajdari, Zijadin Sela, Mersel Bilalli, Ismet Ramadani... dhe shumë të tjerëve, dhe njëkohësisht apelojmë deri te të gjithë udhëheqësit politikë shqiptarë, ministra, deputetë, hoxhallarë, intelektualë, sektori civil, sportistë, artistë dhe të gjithë qytetarët, që të na bashkëngjiten në protestat paqësore, nëpërmjet të cilave do t’ia arrijmë që të mbrojmë dhe sigurojmë jo vetëm lirinë e familjarëve tanë, por edhe krenarinë dhe dinjitetin kombëtar të shqiptarëve.

Ne jemi shumë më të fortë kur jemi bashkë, prandaj, protestat pë rastin e montuar “Monstra” le të jenë fitore e jona e dyfishtë, në njërën anë lirimi i të burgosurve të pafajshëm dhe në anën tjetër, bashkimi kombëtarë mes shqiptarëve të Maqedonisë”, thuhet në komunikatën e Këshillit organizativ me prijës Bedri Ajdari.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat