Sërish protestohet të premten në Shkup

Maqedonia

Sërish protestohet të premten në Shkup

Më: 15 korrik 2014 Në ora: 11:31

Familjarët e të dënuarve me burg të përjetshëm për rastin Monstra, kanë formuar një Këshill Organizativ Koordinues për protestat e radhës të cilat pritet të mbahen.

Bedri Ajdari, i cili e ka vëlla të dënuarin Fejzi Aziri dhe nipa Alil Demirin dhe Haki Azirin të cilët po ashtu u dënuan me burg të përjetshëm, bën të ditur se për të mos marrë kahje politike apo për të mos shfrytëzuar rastin disa individë, është formuar ky Këshill të cilin do ta udhëheqin familjarët.

“Pamë dhe lexuam se disa persona kërkojnë të përfitojnë nga protestat që organizohen në emër të rastit Monstra, dhe për këtë arsye ne formuam Këshillin Organizativ Koordinues për protestat sepse nuk duam të formojmë parti politike e as edhe të formohet një e tillë në krah të zërit të popullit kundër rasteve të montuara. Ne vazhdojmë moton tonë duke kërkuar drejtësi dhe lirim të personave të pafajshëm që po kalben burgjeve të Maqedonisë”, tha Ajdari.

Ai shtoi se protestat nuk kanë përfunduar me kaq, ato do të vazhdojnë edhe këtë të premte mirëpo tani më kërkesat janë të qarta dhe do të vazhdohet të ngritët zëri i popullit kundër gjykatave të politizuara dhe jo korrekte.

“Pa asnjë dëshmi na i dënuan familjarët me burg të përjetshëm, protestat nuk do të ndalen deri sa ata të lirohen. Nuk e di se a do të ketë dalje si herën e kaluar, por ne nuk do të ndalemi ne do të protestojmë deri sa të na lirohen familjarët tanë që u dënuan pa pikë faji, pas asnjë dëshmi. Do të protestojmë edhe më një apo dy persona që na përkrahin. Kjo ndodh vetëm tek ne, vetëm në Maqedoni”, shtoi Ajdari.

Sipas tij jo vetëm shqiptarët ankohen për gjyqësorin, por gjithashtu ka edhe shumë maqedonas që nuk janë të kënaqur me vendimet e palogjikshme të gjykatave.

“Më ka rasti të bisedoj me disa maqedonas dhe më thanë se as ata nuk janë të kënaqur me gjyqësorin dhe se thonë se shumë është i politizuar, andaj shpresojmë që protestat tona paqësore, të ndikojnë në zbardhjen e shumë rasteve dhe lirimin e shumë personave që janë dënuar duke qenë të pafajshëm”, tha Ajdari.

Ai shton se kësaj radhe do të kërkohet leje për protesta dhe apelon që ato të jenë të qeta si radhën e kaluar.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat