Ahmeti-Njuland: Kërkojmë drejtësi transparente!

Maqedonia

Ahmeti-Njuland: Kërkojmë drejtësi transparente!

Më: 14 korrik 2014 Në ora: 19:56

Kreu i BDI-së Ali Ahmeti nuk e anashkaloi situatën e fundit në Maqedoni, atë të reagimit të fuqishëm të qytetarëve shqiptarë pas vendimit të rastit “Monstra” ku u dënuan më burgim të përjetshëm 6 shqiptarë. Pas takimit me ndihmës sekretaren e shtetit amerikan, Njuland, Ahmeti theksoi se ka kërkuar qasje të specialistëve në proceset gjyqësore, si dhe transparencë të gjyqësorit.

“Ne kërkojmë drejtësi transparente, kërkojmë që organet e drejtësisë të mos ndajnë drejtësi selektive dhe kërkojmë që ky proces të monitorohet edhe nga specialistë të fushës, me qëllim që të rritet besueshmëria dhe kjo besueshmëri arrihet duke pasur transparencë ashtu siç kanë parë qytetarë transparencë tek tribunali i Hagës”,deklaroi Ali Ahmeti, Kryetar i BDI-së.

Ahmeti theksoi gjithashtu idenë e mëhershme të tij, për anëtarësimin sa më të shpejtë të Maqedonisë në strukturat euro atlantike. Sipas tij, vetëm përfshirja në BE dhe NATO ndikon në normalizimin e marrëdhënieve ndëretnike dhe zhvillimit ekonomik të vendit.

“Paraqita opinionin e BDI-së, për nevojën e rëndësishme që vendi ynë duhet të anëtarësohet në NATO, si një proces shumë i rëndësishëm, në drejtim të përmirësimit të marrëdhënieve ndër etnike në vend por edhe me vendet fqinje”, tha Ali Ahmeti, Kryetar i BDI-së.

Komentet e Ahmetit u bënë pas takimit me ndihmës sekretaren amerikane të Shtetit Njuland, e cila u takua sot jo vetëm me krerët e shtetit, por edhe krerë të partive politike.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat