BDI dhe PDSH nuk arritën të ndalojnë vendimin për përmendoret e reja

Maqedonia

BDI dhe PDSH nuk arritën të ndalojnë vendimin për përmendoret e reja

Më: 14 korrik 2014 Në ora: 15:53

Këshilltari i BDI-së Qemal Musliu edhe sot akuzoi kolegët e tij të PDSH-së, se vendimi i tyre për të braktisur seancën e fundit, është arsyeja e miratimit të vendimit për vendosjen e këtyre 5 përmendoreve të tjera në qendër të Shkupit.

“Qyteti i Shkupit për herë të parë vendos për ngritjen e monumenteve historike. Këtë punë ne duhej bashkë ta pengonim gjatë seancës së kaluar, ju e kishit rendin e ditës edhe është indikative se ju qëndruat brenda deri në pikën e 14, seancën e lëshuat pikërisht kur duhej të debatohej dhe të votohej për pikën 15, ku parashihej debat lidhur me propozim programin e ngritjes së monumenteve historike. Kam pritur që bashkë pasi ka qenë interes i përbashkët edhe i BDI-së por edhe i PDSH-së, të votojmë kundër dhe të pengojmë këtë propozim-program, por ju këtë nuk e bëtë dhe unë nuk i di arsyet?”, tha Qemal Musliu, këshilltar i BDI-së në Qytetin e Shkupit.

Ndërkohë këshilltari i PDSH-së Idriz Orana thotë se ata ishin kundër rendit të ditës ku ishte vendosur pika për përmendoret, ndërsa akuzuan BDI-në, se ishte ajo që e votoi në bashkëpunim me VMRO DPMNE-në rendin e ditës.

“Askush neve nuk na sugjeroi apo propozoi që ne të dimë se ata kërkojnë përkrahjen tonë duke i pasur të gjitha vendimet unanime që i votuan paraprakisht qoftë për rendin e ditës apo buxhetin. Çështjet e përmendoreve janë të papranueshme për PDSH-në. Ne themi hapur që jemi kundër. Përmendoret, donacion i kujt janë, nga qeveria. Kush është në pushtetin qendror, është VMRO-BDI dhe për këtë arsye ata le t’i pyesin shefat e tyre pse i kanë sjellë këto përmendore këtu dhe nuk mund ta hedhin fajin tek ne! Ne kishim edhe propozime që përmendët ju pikërisht me interes shqiptarë, pse ju votuat kundër emrave të UÇK-së të mbajnë rrugët nëpër vendbanimet shqiptare?”, u shpreh Idriz Orana,këshilltar i PDSH-së në Qytetin e Shkupit.

Pas miratimit të vendimit nga Këshilli i Qytetit të Shkupit, në pjesën qendrore të kryeqytetit së shpejti do të vendosen përmendoret e Gjeneralit Mihajlo Apostolski, Pere Toshev, Gjorgji Sygarev, Nikola Petrov Rusinski dhe Andon Lazov Janev-Qoseto.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat