Nuland sot viziton Maqedoninë

Maqedonia

Nuland sot viziton Maqedoninë

Më: 14 korrik 2014 Në ora: 11:36

Ndihmës sekretarja amerikane e Shtetit për çështje evropiane dhe euroaziatike Viktoria Nuland sot do të qëndrojë në Shkup.

Nuland do të pritet nga presidenti i vendit Gjorgje Ivanov, ndërkaq do të ketë takim me kryeministrin Nikolla Gruevski, si dhe me ministrin e Punëve të Jashtme Nikolla Poposki.

Sipas paralajmërimeve do të ketë takim edhe me zyrtarë të lartë qeveritarë dhe me liderët politik për rrugën euroatlantike të Maqedonisë, si dhe për çështje tjera me interes të përbashkët.

Vizita është në kuadër të turneut të saj në vendet nga rajoni dhe Evropa, e cila fillon me Forumin e sotëm në Dubrovnik për Ballkanin Perëndimor dhe marrëdhënie transatlantike. Nuland në ditët në vijim do të qëndrojë në Podgoricë, Tiranë, Prishtinë, Beograd, Londër dhe Bruksel.

Siç kumtuan nga MPJ-ja, gjatë takimit të ministrit Poposki me Nuland pritet të diskutojnë rreth marrëdhënieve dypalëshe midis dy vendeve mike, të bazuar në besim, partneritet strategjik si dhe në bashkëpunim rajonal dhe global, në kuadër të misioneve paqeruajtëse ndërkombëtare.

“Do të konfirmohet angazhimi i Qeverisë dhe e institucioneve të Republikës së Maqedonisë në zbatimin e reformave në kontekst të përfundimit të procesit të integrimit të plotë të vendit në organizatat euroatlantike. Ministri Poposki do ta transferojë edhe angazhimin e qartë të Republikës së Maqedonisë në procesin e negociatave me fqinjin tonë jugor, me qëllim të zhbllokimit të integrimit të vendit në NATO dhe në Bashkimin Evropian, thuhet në kumtesën e sotme dërguar nga MPJ-ja. Nulad në Ambasadën e SHBA në Shkup do të takohet me kreun e BDI-së Ali Ahmeti, kumtoi partia.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat