Vala e shtrenjtimeve nuk do të ndalet

Maqedonia

Vala e shtrenjtimeve nuk do të ndalet

Më: 13 korrik 2014 Në ora: 22:46

Vala e shtrenjtimeve nuk do të ndalojë. Do të rriten çmimet edhe të produkteve të konsumit të përditshëm kurse pagat jo vetëm që nuk do të rriten por ka tendencë të uljes së tyre. Ky është parashikimi i ekonomistëve Visar Ademi dhe Abdulmenaf Bexheti të cilët thonë se Maqedonia po shkon drejt një krizë më të thellë ekonomike se kjo që kishte deri më tani. Fajin për këtë gjendje ekonomistët e shohin tek pushteti i cili ka keqpërdorur paratë e popullit dhe ka hyrë në borxhe të shumta. Akademiku Bexheti thotë se trazirat e fundit janë vetëm shpërqendrim i vëmendjes së opinionit nga problemet reale, transmeton Alsat.

“De fakto, do të godet tanimë jo vetëm shtresat bazike të popullsisë por do të godisë edhe shtresat e mesme dhe atë më të larta. Standardi rënës është permanent. Në një kohë kur shtrenjtimet janë në mënyrë zinxhirore dhe vlera reale e shtrejtimeve është shumë më e lartë se sa vetëm vlera nominale e rritjes së pagave. Në kushte kur edhe pagat reale kanë një rënie për 3 mujorin e parë të këtij viti. Me gjasë ky shtrenjtim do ti godet edhe në tremujorin e dytë dhe do të bie edhe më tepër paga reale e të punësuarve në Maqedoni. Prandaj edhe ndoshta ndodhin trazira tjera të natyrës politike për ta defokusuar atë që është më e rëndësishme, standardi jetësor”, tha Abdulmenaf Bexheti, profesor universitar.

”Fatkeqësisht shtrenjtime ka në produktet bazë, ajo që më tepër e tangon qytetarin e Republikës së Maqedonisë. Për një kohë që s’do të ketë edhe rritje të pagave, jeta e qytetarit do të jetë akoma në rënie. Maqedonia nuk do të jetë më e Shkupit 2014, por do të jetë Maqedonia e çështjeve sociale 2014-2018. Un parashikoj se do të ketë shumë protesta sociale të tipit që personat nuk do të mund ti shlyejnë borxhet ditore. Kjo do ta agravojë edhe më tepër situatën e tyre. Do të jetë një Maqedoni e largimit të të rinjve drejt mundësive dhe tregjeve të punës të Evropës Perëndimore. Fatkeqësisht do ta humbim atë që ishte avantazhi jonë, i shtetit”, deklaroi Visar Ademi, ekonomist.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat