Kim Mehmeti: Gruevski i frikësohet reagimeve të Tiranës dhe Prishtinës

Maqedonia

Kim Mehmeti: Gruevski i frikësohet reagimeve të Tiranës dhe Prishtinës

Më: 11 korrik 2014 Në ora: 21:26

Mehmeti ka theksuar se reagimi i Gruevskit dhe i qeverisë së tij ndaj deklaratave të Prishtinës dhe Tiranës zyrtare, të cilat kanë kërkuar që Qeveria e Maqedonisë të jetë e kujdesshme me protestuesit, tregon një frikë të tij në raport me këto dy shtete (Shqipërinë dhe Kosovën).

“Në fillim Gruevski u mundua që protestat t’i ngjyros me ngjyra fetare, por kur e pau se kjo gjë nuk po pi ujë, u përpoq që këto protesta t’i paraqes si të organizuara nga Prishtina dhe Tirana, pra nga shqiptarët e jashtëm. Kjo ndodh sepse shefi i Qeverisë së Maqedonisë çdo herë mendon se shqiptarët këtu janë të dirigjuar nga Prishtina dhe Tirana. Kjo është strategjia e asaj mendësie se shqiptarët në Maqedoni i konsideron armiq të brendshëm të cilët vazhdimisht i komandon dikush nga jashtë”, ka thënë ai.

Mehmeti ka thënë se për sjelljen e të parit të ekzekutivit të Maqedonisë kanë faj shqiptarët e Maqedonisë. Sipas tij, politika shqiptare në Maqedoni me veprimet e deritanishme të saj i ka treguar Gruevskit se është inferiore në raport me pushtetin e tij.

“Fatkeqësia e tij është se ai mendon që edhe politika shqiptare në Kosovë dhe Shqipëri ndjehen inferiore në raport me shtetin fqinj. Sa i përket Prishtinës, ajo nuk ‘kollitet’ si duhet në raport me Gruevskin, ndoshta për shkak të raporteve të afërta që i ka kryeministri në largim i Kosovës me partinë shqiptare në pushtet, Bashkimin Demokratike për Integrim (BDI). Ndërsa, zëri i Tiranës zyrtare vazhdon të jetë shumë i fuqishëm dhe i qartë”, ka thënë ai.

Ndryshe, edhe sot janë zhvilluar protestat në Shkup, ku qytetarët shqiptarë e kanë shprehur pakënaqësinë e tyre me dënimin e gjashtë bashkëkombasve të tyre me burgim të përjetshëm në rastin e njohur si “Monstra”.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat