Ivanov: Protestat e dhunshme, të papranueshme

Maqedonia

Ivanov: Protestat e dhunshme, të papranueshme

Më: 10 korrik 2014 Në ora: 16:30

Reagon për protestat e shqiptarëve edhe Presidenti i Maqedonisë Gjorgje Ivanov, i cili ka deklaruar se protestat e dhunshme janë të papranueshme.

Kreu i shtetit maqedonas ka deklaruar se “protestat janë kudo të lejuara, megjithatë, dhuna askund nuk është e pranueshme, ndaj institucionet përgjegjëse duhet të ndërmarrin gjithçka për të ndaluar dhunën.

Të gjitha çështjet mund të zgjidhen përmes institucioneve” – nënvizoi Ivanov.

Presidenti Ivanov tha për gazetarët se është në kontakt të vazhdueshëm me të gjitha institucionet rreth protestave, ndërsa njoftoi se do të ketë analizë për situatën.

Ivanov i ftoi të gjithë që kanë pakënaqësi për aktivitetin, apo veprimet e ndonjë institucioni të mund përdorin rrugën ligjore për ankesat. Ndërsa i pyetur për rastin “Monstra” dhe dënimin me burg të përjetshëm të 6 shqiptarëve, Ivanov tha se duhet “t`ia lëmë Gjykatës së Apelit të shqyrtojë vendimin dhe të gjithë ata që mund të kontribuojnë me informacione e prova, këtë mund ta bëjnë në mënyrë të rregullt juridike. Unë shoh njerëz që duan të përfitojnë politikisht dhe po shfrytëzojnë shqetësimin e qytetarëve” – deklaroi gjithashtu Presidenti i Maqedonisë, që tha se vendi ka institucione që funksionojnë.

Për disa ditë me rradhë shqiptarët në shtetin fqinj protestuan deri në përleshje me forcat e rendit, kundër dënimit sipas tyre të padrejtë të 6 bashkëkombasve me burgim të përjetshëm për rastin e njohur ndryshe “monstra”.

Ivanov komentoi edhe protestat në Kosovë dhe djegien e flamurit maqedonas, duke nënvizuar se “akte të tilla më shumë dëmtojnë këtë vend dhe se çdo akt i dhunshëm do të ndikojë në përfaqësimin e tyre në botë”.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat