BDI dhe PDSH përplasen për përmendoret e reja në Shkup

Maqedonia

BDI dhe PDSH përplasen për përmendoret e reja në Shkup

Më: 10 korrik 2014 Në ora: 13:02

Vendimi i Këshillit të Qytetit të Shkupit me të cilin në qendër të kryeqytetit do të vendosen pesë përmendore të reja dhe një shatërvan u kthye në mollë sherri mes këshilltarëve të BDI-së dhe PDSH-së. Këshilltari i BDI-së Qemal Musliu thotë se PDSH-ja mund të pengonte vendosjen e pesë përmendoreve dhe shatërvanin nëse ata nuk e lëshonin seancën në kohën kur edhe u votua kjo pikë e rendit të ditës.

‘Grupi i këshilltarëve të BDI-së reagoi ashpër ndaj këtij propozim programi dhe votuam kundër, por megjithatë propozimi kaloi falë lëvizjes që bënë këshilltarët e PDSH-së pasi ata qëndruan në sallë deri tek pika e 14 dhe para se të fillojë debati dhe votimi lidhur me këtë, ata lëshuan seancën kështu që erdh në shprehje numri i këshilltarëve të VMRO-DPMNE-së nga bashkësitë etnike dhe në këtë mënyrë ata e fituan shumicën e dyfishtë. Me këtë votim erdh në shprehje bashkëpunimi i fshehtë që ka VMRO-DPMNE me grupin e këshilltarëve të PDSH-së’, deklaroi Qemal Musliu – Këshilltar i BDI-së në Qytetin e Shkupit.

Këshilltari i PDSH-së Idriz Orana tha se Musliu shpif dhe kujtoi atë se rendin e ditës e përpilon VMRO-DPMNE-ja dhe BDI-ja. Orana edhe njëherë tha se këshilltarët e PDSH-së ishin kundër këtij rendi të ditës, kurse BDI pranoi që ai të vendoset në seancë pa pikë problemi.

‘Ne nuk jemi në qeverisje me VMRO-DPMNE-në, në qeverisje është BDI-ja dhe VMRO-ja në qytetin e Shkupit dhe përpilimin e rendit të ditës e bënë BDI-VMRO në qytetin e Shkupit. Në ditën kur është mbajtur mbledhja këshilltarët e BDI-së në leximin e rendit të ditës nuk kanë pasur asnjë shqetësim apo propozim për rendin e ditës, e votuan unanimisht, kurse këshilltarët e PDSH-së kanë qenë kundër. Që është edhe më tragjike dhe për ta nxjerrë në sipërfaqe hipokrizinë, dyfytyrësinë, poshtërinë e këtyre të BDI-së sepse nëse thonë se BDI dhe LSDM kanë votuar kundër këtyre përmendoreve nuk është e vërtet, BDI-ja ka 5 këshilltarë edhe LSDM 1, bëjnë gjashtë këshilltarë, 6 me 6 nuk kalon. E pyesim publikisht këshilltarin i cili me plotë gojë, ai ka nostalgji pasi ka qenë komunist, ka pasur nostalgji për këto 5 përmendore, e pyesim pse këshilltari i BDI-së nuk ka qenë në seancë për të votuar, edhe nuk do të kishte kaluar, kjo është e vërteta’, tha Idriz Orana - Këshilltar i PDSH -së në Qytetin e Shkupit.

Edhe përkundër zënkave dhe mosmarrëveshjeve të këshilltarëve shqiptarë në qytetin e Shkupit, përmendoret e Gjeneralit Mihajlo Apostolski, Pere Toshev, Gjorgji Sygarev, Nikola Petrov Rusinski dhe Andon Lazov Janev – Qoseto, figura këto historike maqedonase do t’i shtohen Shkupit dhe atyre nuk do tu bëjë shoqëri asnjë përmendore shqiptare, të premtuara tashmë disa vite.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat