Kim Mehmeti: Më flitni për radikalizëm Islam, këtu ku ngado që e kthej kokën shoh kryqe gjigante!

Maqedonia

Kim Mehmeti: Më flitni për radikalizëm Islam, këtu ku ngado që e kthej kokën shoh kryqe gjigante!

Më: 6 korrik 2014 Në ora: 10:35

Analisti Kim Mehmeti, sonte ka qenë i ftuar në edicionin qendror të lajmeve te televizioni 'Telma' ku ka folur për temat aktuale që janë duke ndodhur ditëve të fundit në Maqedoni me protestat.

"Vëllazëria mes VMRO - DPMNE-së e BDI-së është realizuar plotësisht dhe ata nuk gënjejnë kur thonë se në Maqedoni ka harmoni ndëretnike, ngaqë Maqedonia ku jetojnë ata është shumë e begatë, ajo u ofron atyre vetura nga më të shtrenjtat, tenderë, u ofron pasurim të pafund për katër vite. Mirëpo, Maqedonia ku jetojmë ne shqiptarët e thjeshtë, është krejtësisht një Maqedoni tjetër. Ajo është Maqedonia që të dënon pa ofruar fakte, siç ndodhi me rastin “Monstra”kur ministrja e brendshme Jankullovska doli e tha se ka arrestuar tororistë islamik dhe vrasësit e viktimave edhe atë ende pa arritur ata te pragu i gjykatës, me çka ua shqiptoi dënimin qysh para dy vitesh”, thotë Kim Mehmeti duke iu përgjigjur pyetjes se si i vlerëson deklaratat e partive qeveritare se marrëdhëniet ndëretnike në Maqedoni janë të mira, njofton portali Almakos.

I pyetur nëse BDI-ja a e ka nën kontroll situatën dhe si e vlerëson komunikatën e kësaj partie për qetësim të situatës, Kim Mehmeti thotë se BDI-ja ka nën kontroll vetëm listat e votuesve e asgjë tjetër dhe shprehë habi se pse kjo parti u drejtohet shqiptarëve me komunikatë, përderisa asaj i bie në hise ta qetësojë situatën, asaj i bie në hise të del e t’u shpjegojë shqiptarëve se pse dhe si ata dënohen.

Në pyetjen se pse protestat organizohen pas faljes së namazit, dhe mos vallë kjo paralajmëron një radikalizëm islamik Kim Mehmeti përgjigjet:

“Më flitni për radikalizëm islamik këtu ku ngado që e kthej kokën shoh kryqe gjigant, këtu ku edhe ujin, edhe ajrin, edhe tokën, edhe gurthemelet e objekteve që ndërtohen edhe me paratë tona, për çdo ditë, në prani të pushtetarëve, shenjtërohet nga ndonjë prift ortodoks, por unë megjitahtë nuk flas për radikalizëm ortodoks! Andaj mos u merrni me atë që nuk ekziston, por përballuni me problemet që ka ky vend i cili kalbet nga brenda”

Video është vetëm në gjuhën maqedonase:


Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat