A po protestojnë arabët a shqiptarët në Shkup?

Maqedonia

A po protestojnë arabët a shqiptarët në Shkup?

Më: 5 korrik 2014 Në ora: 10:48

​Protesta e shqiptarëve të Maqedonisë ka marrë ngjyrime fetare, sesa etnike dhe kombëtare
Tirana dhe Prishtina zyrtare kanë shprehur kritika ndaj protestës së të premtes në Shkup, e cila ka marrë ngjyrime fetare, sesa etnike dhe kombëtare të shqiptarëve.

Një zyrtar i lartë i Qeverisë Shqiptare i tha agjencisë së lajmeve INA se përshëndesin format e tilla të shprehjes së protestës dhe revoltës përmes protestave demokratike, por jo inflirtimi i elementeve fetare.

“Problemet e shqiptarëve në Maqedoni janë të karakterit etnik dhe politik, dhe s`ka hapësirë apo probleme fetare. Vetë mënyra e shprehjes së pakënaqësisë me thirrje fetare dhe flamuj fetar, krijon një huti dhe devijon problematikat shqiptare që janë mëse reale, dhe kështu përfiton pala tjetër, duke e karakterizuar protestës si fetare dhe islamike”, deklaroi për INA, zyrtari i lartë i Qeverisë shqiptare në Tiranë.

Ndërkohë, pakënaqësi dhe reagime të njejta janë shfaqur edhe në Prishtinë, ku është kritikuar forma e protestës dhe elementet e saj.

Përmes rrjeteve sociale, shumica e shqiptarëve kanë shprehur kritika për formën dhe keqpërdorimin e protestës nga ana e disa elementeve dhe individëve me prapavijë fetare.

Gazetari dhe analisti Enver Robelli ka shkruar një mesazh kritik mbi protestën e mbajtur në Shkup.

“Dalin shqiptarët për të kërkuar të drejta kombëtare dhe për të protestuar kundër arrestimeve në Maqedoni, por nuk kanë asnjë kërkesë të logjikshme politike. Në vend të tyre thirren ‘allahu-akbar’ dhe ‘Shqipëri etnike’. Valëvitin flamuj arabë dhe aty-këtu, sa për sy e faqe, ndonjë flamur kombëtar. Protestojnë kundër shtypjes nga shteti maqedonas me flamuj të xhihadit. Nuk bartin plisa, por do kapuça piratësh dhe beduinësh. Në të ashtuquajturën protestë të Shkupit pjesëmarrësve u mungonin vetëm ibrikët dhe legenët për avdes! Në protestën e ardhshme me siguri vjen edhe Shefqet Krasniqi nga Prishtina, kanakari i qarqeve ekstremiste islamike. Atë edhe policia serbe e pat lejuar të shkojë në Preshevë për t’u folur shqiptarëve për fenë, por jo për atdhenë!”, ka shkruar Enver Robelli.

Ndërkohë, shumica e komenteve të qytetarëve tek INA kanë shkruar se protesta e sotme e organizuar me dinjitet të lartë dhe porosi e ikonografi kombëtare është një model për të shprehur revoltën dhe mesazhet kundër diskriminimit dhe për realizimin e kërkesave të shqiptarëve edhe në Maqedoni.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat