Politikanja e BDI-së heq dorë nga posti i deputetit

Maqedonia

Politikanja e BDI-së heq dorë nga posti i deputetit

Më: 3 korrik 2014 Në ora: 00:13

Deputetja e BDI-së Shkodrane Dardhishta ka dhënë dorëheqjen nga posti i deputetit. Dardhishta e ka depozituar tashmë dorëheqjen e saj me shkrim, në Kuvend, por nuk është paraqitur në seancën e sotme për ta arsyetuar.

“Konstatoj se në bazë të nenit 152, paragrafi 1, alinea 1 e Kodit Zgjedhor, deputetes Shkodrane Dardhishta i ndërpritet mandati. Duke marrë parasysh se deputetja është zgjedhur nga listë deputetësh, duhet që Komisioni Shtetëror Zgjedhor ta njoftojë Kuvendin për kandidatin e ardhshëm në listë që duhet t’i verifikohet mandati”, tha Trajko Veljanovski, Kryetar i Kuvendit.

Arsyet e dorëheqjes, Dardhishta nuk ia tregoi as mediave. Shkodrane Dardhishta ishte e dyta në listën e kandidatëve të BDI-së në Njësinë e dytë Zgjedhore. Sipas Kodit Zgjedhor, atë duhet ta zëvendësojë femra e radhës në listën e BDI-së, që rezulton të jetë Kaltrina Azizi. Megjithatë nuk përjashtohet mundësia që pas ndonjë marrëveshjeje brenda-partiake, Azizi të heq dorë nga mandati, dhe në Kuvend të ulet kandidatja pas saj Halide Palloshi. Sa i përket Shkodrane Dardhishtës, pritet të kthehet në postin që mbante para zgjedhjeve, Drejtore e “Shërbimeve të Përbashkëta” në Qendrën Klinike “Nënë Tereza” në Shkup. Posti i saj do të zyrtarizohet më 8 korrik, kur është caktuar mbledhja e Qeverisë për emërimin e drejtorëve dhe zv/drejtorëve.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat