Radikalizimin e shkakton frika nga margjinalizimi

Maqedonia

Radikalizimin e shkakton frika nga margjinalizimi

Më: 2 korrik 2014 Në ora: 22:38

Me rastin e muajt të Ramazanit, në një intervistë ekskluzive për portalin ExPress.mk ka folur kreu i Bashkësisë Fetare Islame në Maqedoni (BFI) H.Sulejman ef. Rexhepi. Ai në intervistë ka folur mbi agjërimin, mbi problemet e shoqërisë sonë si dhe mbi disa çështje që i tangojnë muslimanët e vendit.
Duke folur mbi "islamin radikal" apo dhe "terorizmin islamik" kreu i BFI-së Sulejman Rexhepi ka theksuar se këto terme janë shpikur vetëm sa për ta njollosur dhe nënçmuar islamin.

"Sa i përket kësaj dukurie, deri më sot, kam qenë shumë transparent dhe me qëndrime të paluhatshme. Fjala “islam radikal” apo edhe “terorizëm islamik” janë shpikur vetëm sa për ta njollosur dhe nënçmuar islamin. Islami është fe e paqes, e tolerancës, e dashurisë, e harmonisë. Islami kurrë, me asnjë shkronjë të asnjë fjale nuk thërret në terrorizëm dhe as që e motivon vrasjen. Vrastarët nuk i pret asgjë tjetër përveç dënimit të hatashëm nga Zoti Fuqiplotë. Të jeni të bindur: ata që thërrasin në gjakderdhje, ata që thërrasin e që kryejnë akte terroriste, gjithnjë në emër të fesë, të tillët janë të përjashtuar nga islami, të tillët nuk kanë asgjë të përbashkët me islamin. Do ta nënvizojnë të kundërtën e kësaj vetëm ata që nuk kanë lidhje me islamin, që nuk e njohin fenë islame. Këta mbase edhe mund të falen, për shkak të injorancës së tyre, por jo edhe ata që në emër të fesë islame bëjnë akte të paimagjinueshme për trurin e shëndoshë dhe për çdo besimtar të sinqertë", thotë kreu i BFI-së Sulejman Rexhepi në Intervistën për portalin ExPress.mk
Sipas tij gjithkush që radikalizohet, qoftë politikisht, qoftë fetarisht, ai nuk ka lidhje as me politikë e as me fe.
"Thjesht, radikalizmi i tyre shkaktohet nga frika e margjinalizimit të tyre. Në të dy variantet, pra, në daç në radikalizim në daç në margjinalizim, njeriu me një mentalitet të tillë antinjerëzor është i destinuar ta humb si këtë botë ashtu edhe botën tjetër. Këtu e pret ndëshkimi njerëzor ndërsa në botën tjetër ndëshkimi i Zotit Fuqiplotë. E përsëris: radikalët, dhunuesit, përdhunuesit, vrasësit, terroristët nuk kanë të bëjnë fare me asgjë për sa i përket islamit. Del një musliman i krisur në tru, apo i djegur nga ndonjë ngjarje në familjen e vet dhe, në shenjë hakmarrje vret disa të huaj! Menjëherë ky do të etiketohet si “terrorist islamik”! Ku është këtu toleranca? Ku është këtu respekti ndaj fesë? Cili nga muslimanët, qoftë njeri i thjeshtë apo i rëndësishëm në botën muslimane, deklaroi se Andersh Bering Brajvik, i cili në Norvegji brenda pak orësh vrau 94 persona të cilët ai i kishte konceptuar si muslimanë, pra, kush nga ne i tha “terrorist i krishterë”! Kush nga bota muslimane e përdori këtë sintagmë tepër ofenduese! Askush, sepse Islami na mëson dhe na urdhëron në bashkëjetesë dhe jo në ofendime, në harmoni e jo në konflikte, na mëson për dashuri e jo për urrejtje", thekson kreu i BFI-së.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat