Kurti vlerëson nismën e Selës për “reformimin e PDSH-së”

Maqedonia

Kurti vlerëson nismën e Selës për “reformimin e PDSH-së”

Më: 2 korrik 2014 Në ora: 16:13

Kryetari i komunës së Strugës, Zijadin Sela, ka qëndruar sot në Prishtinë ku ka realizuar takime me kryetarin e komunës së Prishtinës, Shpend Ahmetin dhe kreun e Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti.

Sela me kryetarin e komunë së Prishtinës, Shpend Ahmeti biseduan për shumë çështje me rëndësi për të dy komunat, kryesisht për problemet që hasen nga menaxhimi me këto komuna e me theks të veçantë për praktikat e përbashkëta si komuna opozitare.

Gjatë takimit u shqyrtuan mundësitë për thellimin e bashkëpunimit ndërkomunal mes Prishtinës dhe Strugës dhe me theks të veçantë për atë që quhet Unioni i komunave me kryetarë shqiptarë, që sipas tyre më lehtë mund të vijë në jetë përmes bashkëpunimeve në fushën e kulturës.

Nuk u la pa përmendur edhe situata aktuale politike në të dyja vendet, me problemet që hasin shqiptarët në Republikën e Maqedonisë, ku ndër tjera Shpend Ahmeti çmoi punën që po bën kreu i komunës së Strugës, Zijadin Sela, në menaxhimin me komunën, por edhe për kontributin e tij në jetën publike në Republikën e Maqedonisë.

Sela ka qenë i shoqëruar edhe nga ish deputeti i PDSH-së, nga dega e Ohrit, Bekim Qoku, ku dhe më pas realizoi takim të frytshëm me kreun e Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, në zyrën e këtij të fundit.

Kreu i Strugës Zijadin Sela ka përgëzuar Kurtin për rolin e tij dhe Vetëvendosjes gjatë procesit zgjedhor, të cilin Sela e vlerësoi si më demokratik deri tani.

Ai para Kurtit, madje ka dhënë edhe argumentet e tij në lidhje me situatën aktuale që mbizotëron në PDSH, parti e cila për vite me radhë nuk arrin të fitojë besimin e qytetarëve shqiptarë edhe përkundër gjendjes së rëndë dhe të mjerueshme në të gjitha fushat e jetës, që ka kapluar qytetarët shqiptarë në Maqedoni.

Sela arsyetoi Lëvizjen e tij brenda për brenda partisë, për reformimin e PDSH-së, që sipas tij do të sjell freski në këtë parti, që më në fund të arrihet fitorja e madhe e saj e me këtë të vihet në jetë Marrëveshja e re politike, që tashmë disa vite është shndërruar në Platformë të PDSH-së, e ideuar nga ish-kryetari i saj, i ndjeri Arbën Xhaferi.

Nga ana tjetër lideri i Lëvizjes Vetëvendosje u shpreh se nga afër i ndjekin ngjarjet politike në Maqedoni dhe theksoi se shqiptarët e Maqedonisë duhet më me ngulm të kërkojnë atë që u takon nga shteti.

Kurti e vlerësoi aktivitetin politik të Selës dhe risinë që sjell ai me nismën për demokratizimin e brendshëm të subjekteve politike, në këtë rast për Lëvizjen për reformim të partisë opozitare shqiptare PDSH e cila sipas tij duhet të jetë mburoja kryesore e të drejtave të shqiptarëve të kësaj ane.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat