Aliti dhe Zgjohu kërkojnë rishqyrtim të rastit Monstra

Maqedonia

Aliti dhe Zgjohu kërkojnë rishqyrtim të rastit Monstra

Më: 1 korrik 2014 Në ora: 20:18

Pas Ministrit të Drejtësisë nga radhët e BDI-së në pushtet, edhe deputeti i kësaj partie Rafiz Aliti ka kërkuar që të shqyrtohet vendimi i gjykatës së shkallës së parë për rastin Monstra. Aliti tha se partia që ai përfaqëson do të angazhohet që vendimi final i Apelit të bazohet në prova dhe argumente.

“BDI-ja gjithmonë është angazhuar dhe në këtë rast do të angazhohet që të del në pah drejtësia. Kështu që mbi të gjitha kemi kërkuar nga gjykatat e vendit që vendimet të merren në bazë të argumenteve, dhe në këtë rast gjithsesi se do të kërkojmë që në bazë të argumenteve të merren vendimet gjyqësore”, u shpreh Rafiz Aliti, deputet i BDI-së.

Ka reaguar edhe Lëvizja Qytetare Zgjohu, e cila vendimin e djeshëm e quan skandaloz, dhe kërkon ekspertizë ndërkombëtare për të dëshmuar fajtorët e vërtetë të vrasjes.

“Verdikti maksimal për një krim në të cilin nuk është gjetur as arma me të cilën është kryer akti dhe ku nuk dihet motivi i vrasjes makabre të të rinjve sjell dyshime maksimale rreth kredibilitetit të gjykatës, prokurorisë dhe në përgjithësi sistemit gjyqësor në vend. Lëvizja ZGJOHU!! kërkon drejtësi për dorasit e vërtetë. ZGJOHU! kërkon të prezantohen dëshmitë mbi të cilat u dënuan 6 persona me burg të përjetshëm. ZGJOHU! kërkon ekspertizë ndërkombëtare për këtë gjykim skandaloz”, thuhet në reagimin e "Zgjohu".

Gjykata Themelore “Shkupi I” dënoi dje 6 persona me burg të përjetshëm për vepër penale terrorizëm, që i referohej vrasjes së pesëfishtë pranë Liqenit të Smillkovës në prill të 2012. Mbrojtja pretendon se vendimi është sjellë në mungesë të provave dhe vetëm mbi dëshminë e dëshmitarit të fshehur. Policia nuk ka gjetur asnjë nga armët me të cilat është kryer vrasja, ndërsa si provë materiale ka prezantuar vetëm ADN analizën për njërin nga 6 të dënuarit. Për shkak të mungesës së provave të mjaftueshme, Gjykata la të lirë Sejdi Rami, pas 2 vitesh të kaluara në paraburgim.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat