OSBE komenton për ngjarjet në Shkup

Maqedonia

OSBE komenton për ngjarjet në Shkup

Më: 21 maj 2014 Në ora: 20:54

Misioni në Shkup i Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE) shprehu keqardhje të thellë për humbjen tragjike të një maqedonasi të ri në Shkup të hënën, ndërkohë që theksoi se po i vëzhgon me shqetësim të madh zhvillimet në lagjen Gjorçe Petrov, ku për dy net rresht ka patur trazira.

Ambasadori i OSBE-së Ralf Breth, tha se duhen lejuar autoritetet që të bëjnë hetimet e këtij krimi dhe procesi hetimor dhe ligjor të zhvillohet pa pengesa. “Solidariteti me familjen e viktimës duhet të mbizotërojë dhe jo protestat e dhunshme dhe dëmtimi i pronave”, tha ambasadori, duke shtuar se “nuk duhet të ketë përgjegjësi kolektive nga asnjë komunitet për veprat e një individi.”

I riu maqedonas Angel Petkovski u vra me thikë nga moshatari i tij shqiptar Naser Eshtrefi pasi ky i fundit, sipas policisë, ishte përpjekur t’i vidhte viktimës biçikletën. Por avokati i të dyshuarit për vrasjen, i ka thënë shtypit në Shkup, se klienti i tij e kishte kryer veprën në vetëmbrojtje dhe se thika me të cilën u godit Angeli, i përkiste atij (viktimës).

Organet e rendit kanë arrestuar dyzet e dy persona të përfshirë në ngjarjet e dhunshme. Gjatë përleshjeve të mbrëmshme të protestuesve maqedonas me policinë pati disa policë të lënduar lehtë.

Dëmet e shkaktuara ndaj pronave të shqiptarëve në këtë lagje janë të konsiderueshme. Ngjarje të tilla kanë ndikim negativ në marrëdhëniet e brishta ndëretnike në Maqedoni.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat