Mbikëqyrësi civil shpreh dyshime serioze mbi rregullsinë e Listës Zgjedhore

Maqedonia

Mbikëqyrësi civil shpreh dyshime serioze mbi rregullsinë e Listës Zgjedhore

Më: 20 prill 2014 Në ora: 17:05

Në rast se keni borxh edhe një denar, kutia postale do t’ju mbushet me letra, vërejtje, madje edhe përmbarues, por, kur bëhet fjalë për lajmërim për ndryshim të vendvotimit, atëherë përpjekjet e institucioneve kompetente nuk janë aq të mëdha. Kështu, sipas asaj që Civili e vërejti në terren, lajmërimet për atë se ku duhet të votojnë qytetarët, u ngjitën në hyrjet e ndërtesave, në një letër të thjeshtë, të ngjitura me selotejp.

“Lista me ndryshimin e vendvotimeve ishte e ngjytur në hyrje të ndërtesës vetëm disa orë, pastaj dikush e shkoqi. Pjesa më e madhe e banorëve në këtë ndërtesë pastaj nuk e dinte ku të votojë, sepse ua kishin ndëruar vendvotimin. Mund të gjenin një mënyrë më adekuate për të na lajmëruar se ku duhet të votojmë. Krahas listës zgjedhore elektronike, nuk duhet lënë anash ata të cilët nuk kanë qasje në internet, si dhe personat më të vjetër, të cilët nuk janë të njohtuar se si duhet ta përdorin listën zgjedhore”, na deklaroi dje një votues nga lagja Kozle.

Një mbikëqyrës i Civilit evidentoi një shembull kur një votues ka ardhur në vendvotim, ndërsa adresa në letërnjoftimin e tij ka qenë e njëjtë me një anëtar të këshillit zgjedhor, edhe pse këta të dy nuk jetojnë në të njëjtën adresë, e as që njihen. Anëtari i këshillit zgjedhor ka reaguar, por ky rast mbeti pa përfundim.

Sipas mbikëqyrësve të Civilit, një numër i madh i votuesve nuk janë në vendvotimet ku kanë votuar zgjedhjet e kaluara.
Kështu, në Çashka, Veles, janë evidentuar më shumë persona të cilët nuk kanë qenë në listën zgjedhore sivjet, ndërsa kanë qenë në zgjedhjet lokale vitin e kaluar. Shumë votues nga Prilepi, nga ana tjetër, kanë mundur ta gjejnë veten në listën elektronike, ndërsa në vendvotim nuk kanë qenë në listë. Rast i ngjashëm është evidentuar edhe në Koçan, ndërsa në Kavadar ka patur numër më të madh të rasteve ku votues nuk kanë qenë në listën zgjedhore.

Në komunën Bogdanc, mbikëqyrësit e Civilit kanë konstatuar tre raste kur votuesve u është hequr e drejta e votës, sepse dikush tjetër është nënshkruar në vend të tyre. Për raste të ngjashme ka reaguar edhe një numër i madh i qytetarëve në rrjetet sociale, të cilët kanë shkuar të votojnë, ndërsa kanë parë se dikush veçmë është nënshkruar në vend të tyre.

Në Strugë janë vërejtur shumë lëshime sa i përket informimit të qytetarëve për vendet e tyre të votimit. Njësia zgjedhore e cila ka qenë te spitali ka qenë e mbyllur dhe në të nuk ka patur asnjë lajmërim për atë se ku duhet të drejtohen votuesit, gjatë së cilës u krijua hamendje dhe kaos i vërtetë. Në këtë vend dalja e qytetarëve ka qenë shumë e vogël.
Të gjithë këta shembuj nga terreni dhe nga mbikëqyrësit, sipas Civilit, hedhin dyshime serioze mbi rregullsinë e zgjedhjeve dhe të listave zgjedhore.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat