Incizimet, para të zeza dhe lufta për vota

Maqedonia

Incizimet, para të zeza dhe lufta për vota

Më: 18 prill 2014 Në ora: 15:10

A bëhet fjalë për “nxehje” të fushatës para zgjedhjeve parlamentare dhe rrethit të dytë të zgjedhjeve presidenciale ose për material që tregon një skandal të madh korrupsioni, është çështja për të cilën ekspertët presin që organet kompetente të japin përgjigje.

Në çdo rast janë të njëzëshëm në atë se ata duhet të reagojnë pasi u publikua nga partia opozitare LSDM audio incizimi, për të cilën thane se është provë se kryeministri ka marrë 1,5 milionë euro para të thata nga biznesmeni serb Jovica Stefanoviq, i njohur si “Gazda Nini” gjatë shitjes së “Makedonska Banka”.

“Për arsye se bëhet fjalë për njeriun e parë në shtet, në mënyrën më serioze Prokurori publik duhet të zbatojë veprime parahetimore që të kontrollojë vërtetësinë. Në këtë situatë duhet të krahasohet zëri i ‘Gazda Ninit’ dhe gjithashtu të krahasohet edhe zëri i kryeministrit dhe me këtë do të kemi një pasqyrë të qartë nëse ato janë zërat e tyre”, thotë profesori Vlladimir Pivovarov.

“Nuk kam dëgjuar incizimet, por sipas principit të hierarkisë kompetentë është Prokurori publik i qarkut, ai deri tani nuk më ka informuar dhe do të më informonte nëse ekziston bazë dyshimi që të ndërmerren masa”, ka thënë në deklaratën për NOVA-TV, Prokurori publik Marko Zvërlevski.

Partia qeveritare VMRO-DPMNE ka reaguar nëpërmjet kumtesës në të cilën thuhet se bëhet fjalë për montazh klasik. Kryeministri Nikolla Gruevski, madje ka demantuar edhe nëpërmjet avokatit të tij, ndërsa është përgjigjur edhe nga mitingu në Berovë. “Në vend që të nxjerrin porosi nga votimi i qytetarëve, zgjodhën që në rrethin e dytë në vend të projekteve dhe ofertave të bëjnë fushatë të zezë dhe negative, me akuza, montazhe, gënjeshtra, manipulime”, tha Gruevski.

Por, lideri i LSDM-së, Zoran Zaev në intervistën për REL tha se materialin e kanë pranuar nga një qytetarë i brengosur, pak para rrethit të parë të zgjedhjeve presidenciale dhe se janë të vendosur që rasti të zbardhet deri në fund. “Përgjegjësi duhet të ketë.

Epilog juridik duhet të ketë edhe për ato materiale të cilat më herët i kemi publikuar, dhe për të cilat institucionet thonë se janë duke punuar, duke pritur që qytetarët të harrojnë, por ne nuk harrojmë. Ndërsa, për këtë rast ku është i përfshirë maja e pushtetit, personalisht kryeministri i involvuar, absolutisht nuk ka dilema se do të shkojmë deri në fund”, thotë Zaev.

Siç shprehet ai, në bazë të këtyre informacioneve të publikuara, partia pret ndryshim të rezultateve më 27 prill. “Presim që pushteti të vetëdijesohet, por nëse vazhdon me presione mbi çdo votues, të gjitha opsionet janë të hapura, opsioni i bojkotit, i mospranimit të rezultateve, opsionet e demokracisë rrugore”…”, ka thënë Zaev./zhurnal

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat