Ahmeti: S’heqim dorë nga presidenti konsensual

Maqedonia

Ahmeti: S’heqim dorë nga presidenti konsensual

Më: 18 prill 2014 Në ora: 01:37

BDI mbetet në qëndrimin se Maqedonia duhet të zgjedhë president konsensual dhe me këtë çështje nuk do të bëjmë asnjë lëshim, ka porositur në tubimin e sontëm në Resnjë lideri i BDI-së, Ali Ahmeti.

“Mbetemi në qëndrimin për president konsensual, nuk do të tërhiqemi nga mendimi ynë, nuk ka asnjë marrëveshje me asnjë parti”, tha Ahmeti.

Ai shtoi se Maqedonisë i nevojitet bashkëjetesë, që siç tha ai, sonte po shifet në Resnjë pasi janë prezent shqiptarë, turq, egjiptianë, romë dhe maqedonas.

“Kërkoj ndihmë më të madhe kësaj radhe që të shihet se sa e fuqishme është BDI, pasi PDSH është një mace. Ne kemi rrënjë të thella, macja mundet vetëm ta gërvishtë por jo edhe të bëjë dëme”, tha para të pranishmëve Ahmeti.

Të pranishmëve iu është drejtuar edhe bartësi i listës në njësinë numër 5, Musa Xhaferri, i cili premtoi investime në turizëm dhe pemtari, transmeton zhurnal.

“Rajoni i Prespës e meriton këtë. Në këtë mënyrë të rinjtë nuk do të largohen nga këtu”, tha Xhaferri.

Para të pranishmëve kanë folur edhe kandidatët për deputetë në njësinë e pestë zgjedhore, Memet Hoxha dhe Amet Haxhiu.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat