VIDEO-SKANDAL në Maqedoni/ Kryeministri Gruevski kërkon ryshfet 1.5 mln € për të mbyllur “punët”

Maqedonia

VIDEO-SKANDAL në Maqedoni/ Kryeministri Gruevski kërkon ryshfet 1.5 mln € për të mbyllur “punët”

Më: 17 prill 2014 Në ora: 22:23

LSDM-ja, në mbështetje të pohimeve të saj se kryeministri Nikolla Gruevski ka marrë 1,5 milion euro në dorë, nga shitja e “Makedonska Bankës”, duke iu shmangur edhe tatimit ndaj shtetit, publikoi sot 4 regjistrime audio, me detaje se si janë zhvilluar bisedimet për shitjen e bankës dhe pagesën e parave.
Në regjistrime, sipas LSDM-së, dëgjohen zërat e negociatorit në këtë punë, të Jovica Stefanoviqit të njohur ndryshe me pseudonimin si “Gazda Nini” i cili dëshironte të blinte në mënyrë të paligjshme bankën, si dhe Nikolla Gruevskit, i cili si lider i VMRO DPMNE-së ka kontrolluar aksionet e bankës.
Sipas liderit të LSDM-së, Zoran Zaev, regjistrimet, për shkak të territ informativ, i janë dërguar mediave të huaja dhe përfaqësive diplomatike. Për skandalin, ai iu bëri thirrje institucioneve të veprojnë.
“Ju bëjmë thirrje institucioneve kompetente që të mos presin urdhrin e Gruevskit se si të veprojnë për rastin në të cilin ai është protagonisti kryesor. Shumë afera, deri tani, kanë qenë shpërfillur. Këtë nuk do ta lejojmë që të shpërfillet. I bëjmë thirrje prokurorit publik Zvërlevski, që t’i harrojë ballot e romëve dhe argëtimet e tjera, ku shoqërohej me njerëzit e parë të pushtetit, dhe të iniciojë menjëherë hetime për rastin, si dhe të ndërmarrë të gjitha masat sikurse ndaj çdo qytetari tjetër të këtij vendi, në situatë të njëjtë”, tha Zoran Zaev, kryetar i LSDM-së.
Zaev kërkoi nga Gruevski që t’i japë fund edhe kërcënimeve ndaj tij.
“Jepi fund kërcënimeve ndaj meje dhe familjes sime, të afërmve dhe njerëzve të mi të Lidhjes Social-Demokrate të Maqedonisë. Nëse kjo nuk është e vërtetë, pse atëherë më kërcënoni që të mos vazhdoj me këtë aferë. Ju besoni se nëse më frenoni mua, e vërtetë do të mbetet përherë në fshehtësinë tuaj familjare. A nuk ishit ju ai që pohonit se e vërteta është si fushnjerë, dhe një ditë do të dalë në sipërfaqe. Ja pra Nikolla Gruevski, tani doli në sipërfaqe edhe e vërteta për ndershmërinë tënde”, deklaroi Zoran Zaev, kryetar i LSDM-së.
Një ditë më parë, në komunikatën për opinionin, nga VMRO DPMNE-ja kërcënuan se Nikolla Gruevski do ta paditë Zoran Zaevin për shpifje. Po ashtu, edhe në mitingun në Prilep, Gruevski tha se pas 27 prillit, LSDM-ja nga falimentimi do të bëhet parti e likuiduar.


Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat