Familja Zeqiri nga Shkupi denoncon torturën e kriminelëve sllavomaqedonas

Maqedonia

Familja Zeqiri nga Shkupi denoncon torturën e kriminelëve sllavomaqedonas

Më: 17 prill 2014 Në ora: 09:16

Familja shqiptare Zeqiri në lagjen Radishan të Shkupit, ka përjetuar golgotë të vërtetë më 13 prill, natën kur u shpallën rezultatet e raundit të parë të zgjedhjeve presidenciale në Maqedoni. Huliganë maqedonas, të cilët sipas familjarëve janë simpatizues të VMRO-DPMNE-së së kryeministrit Gruevski, gëzimin për fitoren e partisë së tyre, e kanë shprehur duke e sulmuar shtëpinë e kësaj familje. Me këtë rast janë lënduar tre anëtarë të familjes, në mesin e të cilëve edhe 80 vjeçarja, Sherife Zeqiri. Kjo nuk është hera e parë që kjo familje sulmohet nga huliganët, në këtë lagje të Shkupit të banuar me shumicë maqedonase. Policia ka dalë me sqarim se aty ka ndodhur aksident trafiku, mirëpo filmimet që i kanë bë kamerat e vendosura në shtëpi përgënjeshtrojnë policinë.

“Nuk ka pas ndeshje, incizimet i keni, ndeshje nuk ka pas. Kjo ka qenë një grup i madh huliganë, pijanecë, narkomana, që i njeh edhe shteti.... Njëri prej tyre u lëshua këndej dhe mua më thotë do të ju djegim, do ju vrasim, unë i thash largohu mu hiq qafësh, doli një djalë vëllai dhe i ra. Ata kishin qenë gati dhe sikur janë incizimet në kamerë, ka filluar rrahja në rrugë. Njëri kishte qenë i përgatitur me veturë, ne kur kemi dalë të gjithë, ai morri hov me veturë dhe nëna ime ka dalë pas nesh, dhe ai të gjithë na ka shti nën veturë, edhe të palës maqedonase, edhe neve, edhe nënën time”

Ministrja e Brendshme Gordana Jankullovska nuk dha përgjigje për tentativën për të fshehur të vërtetën e plotë lidhur me incidentin në Radishan, për të cilin thonin se erdhi si pasojë e një aksidenti trafikut. Incidenti rezultoi të jetë sulm klasik mbi një familje shqiptare, e cila tashmë disa herë është viktimë e torturës. Këtë e pranoi edhe Ministrja e Brendshme Gordana Jankullovska, vetëm pasi kamerat private të familjes Zeqiri zbuluan çka në të vërtetë kishte ndodhur të dielën mbrëma.

“Për ne ky rast është i përfunduar. Ne kemi ngritur 6 padi. 5 janë kundërvajtës dhe 1 është penale varësisht prej motiveve dhe gjithë rekonstruimit të ngjarjes. Sidoqoftë kompetencat e mëtejshme janë tek prokurori i cili gjatë procedurës së mëtutjeshme mundet mund të vërtetojë edhe motive të tjera”

Anëtarët e familjes Zeqiri tregojnë se ky është sulmi i pestë ndaj tyre në dhjetë vitet e fundit. Ata janë dëshpëruar nga mungesa e interesimit të institucioneve për t’i mbrojtur nga huliganët, prandaj tani kërkojnë ndihmë edhe nga shteti ëmë. Në të kundërtën paralajmërojnë se do të shpërngulen dhe do të migrojnë në Shqipëri.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat