VMRO- DPMNE do qeveri pa shqiptarët

Maqedonia

VMRO- DPMNE do qeveri pa shqiptarët

Më: 17 prill 2014 Në ora: 08:19

VMRO-DPMNE nuk ndalon thirrjet për përkrahje masive të maqedonasve për të fituar shumicën e deputetëve për qeverisje pa rolin e shqiptarëve.

Këtë thirrje sot e ka bërë edhe bartësi i listës për deputetë në njësinë 6, ministri i jashtëm, Nikola Popovski. Ai në takimet që ka zhvilluar në zonën e Tetovës me banorë maqedonas të disa vendbanime ka kërkuar përkrahje masive në këto moment të rëndësishme për të fituar 62 deputetë, me qëllim të formimit të mazhorancës, pa rolin apo pjesëmarrjen e mundshme të partive shqiptare.

“Rëndësia e 62 deputetëve është që ne të shmangim shantazhet dhe kushtëzimet si dhe si qeveri e udhëhequr nga VMRO-DPMNE të ballafaqohet me të gjitha sfidat e brendshme dhe të jashtme”, theksoi Popovski.
Këtë shifër të numrave të deputetëve gjatë shpalljes së fitores më 13 prill e ka përmendur edhe kandidati për president Gjorgje Ivanov.
“Sot qytetarët zgjodhën konceptin tonë, konceptin e reformave dhe fjalës së mbajtur. Konceptin e punës ekipore për të mirën e Maqedonisë. Konceptin e ndershmërisë, patriotizmit, reformave dhe vendeve të reja të punës. Jam i bindur për fitore të dyfishtë edhe në raundin e dytë, më 27 prill, si në ata presidenciale ashtu edhe në ata parlamentare me 62 deputetë", deklaroi Ivanovi.
Por edhe lideri i VMRO-DPMNE, Nikola Gruevski në disa raste gjatë fushatës po vazhdon të kërkojë fitoren absolute dhe qëllimin final siç tha ai për të fituar 62 deputetë dhe për të shmangur partitë shqiptare, në të shumtën e rasteve duke përmendur BDI.

“Vota juaj është e rëndësishme për ne, e rëndësishme për fitoren tonë bindëse, për pritjet tona prej 62 deputetëve, për të mos lejuar dikush tjetër të na shantazhojë. Projekti i BDI-së për dygjuhësi në tërë territorin e Maqedonisë nuk reflekton me realitetin në Maqedoni, nuk është pjesë e Marrëveshjes së Ohrit, andaj kërkojmë 62 vende në Parlament. Kandidati koncensual dhe ndryshimi i kushtetutës nuk është realitet”, deklaroi Gruevski.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat