IAL: Zgjedhjet Presidenciale, nuk u respektua vota e fshehtë

Maqedonia

IAL: Zgjedhjet Presidenciale, nuk u respektua vota e fshehtë

Më: 15 prill 2014 Në ora: 10:27

Instituti Alternativa Liberale vlerëson se raundi u parë i zgjedhjeve Presidenciale të mbajtura më datë (13.04.2014), edhe pse pa ndonjë incident konkret, u zhvillua në atmosferë të tensionuar dhe përçarëse tek elektorati shqiptar në Maqedoni.

E drejta e votës anonime si një e drejtë primare në shtet demokratik është kyçe për zhvillimin e një shoqërie demokratike që synon integrimin në BE dhe NATO.

Në 24 vitet e pavarësisë së Maqedonisë është hera e parë që elektorati shqiptar nëpërmjet thirrjes për bojkot nga partia shqiptare në koalicionin qeveritarë të deri tanishëm (2011-2014), ka bërë që secili qytetar me të drejtë vote të etiketohet si opozitar apo pro qeveritar duke e zhvlerësuar në këtë mënyrë anonimitetin e votës.

E drejta për bojkot është e drejtë e individit edhe pse në një demokraci preferohet dhe promovohet aktivizim qytetarë bazë e të cilit është dhënia e votës.

E drejta e tillë nuk i takon asnjë grupacioni politik e për më tepër kur një nismë e tillë e bojkotimit sjell përçarje të hapur tek elektorati i cili i voton ato.

Përderisa preferencat partiake janë individuale dhe vota është personale dhe e fshehtë, Instituti Alternativa Liberale konsideron se në ditën e zgjedhjeve të datës 13.04.2014 nuk triumfoi asnjëra parti por triumfoi frika tek qytetarët të cilët kuptuan efektet e daljes në votime.

Më alarmantja është fakti se jo vetëm simpatizuesit e një partie ose tjetrës u etiketuan por edhe qytetarët neutralë të cilët dhe herë të tjera nuk marrin pjesë në votime me vetë dëshirën e tyre, u etiketuan si bojkotues të zgjedhjeve dhe simpatizantë të partisë e cila promovoi këtë bojkotim.

Të bazuar në Deklaratën Universale të të Drejtave të Njeriut, Neni 21, paragrafi 3 ku thuhet, “Vullneti i popullit është baza e pushtetit shtetëror; ky vullnet duhet të shprehet në zgjedhje periodike dhe të lira të cilat duhet të jenë të përgjithshme dhe votimi i barabartë, si dhe me votim të fshehtë ose sipas procedurës përkatëse të votimit të lirë”, Instituti Alternativa Liberale shpreh indinjatën ndaj një politike të tillë përçarëse brenda elektoratit shqiptarë në Maqedoni.

Veçanërisht ishin shqetësuese lajmet sipas të cilave përpara njësive zgjedhore gjendeshin persona të cilët bënin evidentimin e votuesve shqiptarë.

Apelojmë tek subjektet politike shqiptare në Maqedoni të shmangin një politikë të tillë përçarëse që shkon në dëm të vetë shqiptarëve dhe të jenë më konstruktiv dhe unifikues në politik bërjen e tyre në zgjedhjet e ardhshme, posaçërisht tek ato që vijojnë pas dy javësh.

Gjithashtu apelojmë dhe tek aktorët ndërkombëtarë në vend, prej ku ne i marrim praktikat më të mira të demokracisë, të jenë më vigjilentë në monitorimin e zgjedhjeve dhe të japin vërejtje domethënëse tek subjektet politike në shërbim të votës së lirë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat