Analistët: Bojkoti i BDI-së, përgjegjësi e madhe

Maqedonia

Analistët: Bojkoti i BDI-së, përgjegjësi e madhe

Më: 15 prill 2014 Në ora: 01:46

Analistët politikë vlerësojnë se epilogu i zgjedhjeve presidenciale të një ditë më parë, i cili rezultoi me pjesëmarrje të ulët të shqiptarëve, shton përgjegjësinë e BDI-së në luftën për më shumë të drejta ndaj shqiptarëve. Qëndrimet u ndanë mbrëmë gjatë Studios së Hapur, në kuadër të transmetimeve maratonë post-zgjedhore.

“Ali Ahmeti me këtë 90 % plebishit të votuesve shqiptarë, jo t’i japë kërcënime Gruevskit por t’i shkojë me një ofertë që thjesht Maqedoninë, që detyrimisht duke pasur parasysh që ke mbështetjen e një kombi politik brenda ende jo juridik dhe gjërat të ecin për së mbari. Kam bindjen që sjelljes së Gruevskit prej një adoleshenti i cili përjeton krizë identiteti i ka ardhur fundi!”, tha Ymer Ismaili, analist.

“Për partitë shqiptare dihet ku është adresa dhe me cilin duhet të diskutohet për çdo çështje tjetër, pasi BDI-ja me thënien e saj “Jo presidentit të njëanshëm”, dhe partitë e tjera opozitare nuk u deklaruan pro kësaj ideje, por është e vërtetë se të gjithë të tjerët kanë 36 mijë vota. Ndërkaq të gjithë të tjerët abstenuan. Tash mund të llogariten si përgjigje ndaj thirrjes së Ali Ahmetit dhe se nuk mund të quhen të gjithë të BDI-së por përkrahën konceptin e BDI-së për konsensus, ideja e konsensusit do vihet në rend dite sepse këto 360 mijë votat e Gjorge Ivanovit janë pastër maqedonase”, u shpreh Rizvan Sulejmani, analist.

Sipas analistëve Misini dhe Spasov, triumfi i VMRO-së ishte i pritshëm. Sipas tyre pushteti ka në dorë të gjitha mjetet e kontrollit të elektoratit por edhe manipulimet që ndodhin duke filluar me listat zgjedhore. Megjithatë, sipas tyre, LSDM-ja akoma ka hapësirë për të ndryshuar këtë paraqitje në raundin e dytë zgjedhor.

“Maqedonia gjendet në një moment kyç, të një kulmi të asaj që na ndodhte deri tani, apo mbijetesës dhe rritjes akoma më shumë të totalitarizmit që kishin deri tani. Unë jam i habitur, nga habia e Zaevit, nuk e di nga e ka marrë optimizmin se pushteti do të luante lojë korrekte. Kjo nuk duhej të pritej, por shpresoj se do t’i shqyrtojnë të gjitha aspektet që ndodhën në 2 muajt e fundit dhe do të gjejnë mënyra inovative për t’iu kundërvënë më 27 prill”, tha Suad Misini, analist.

“Nëse bëhen analiza të mira për raundin e dytë zgjedhor dhe analizohen arsyet që penguan mos marrjen e të gjitha votave që planifikonte LSDM-ja, mund të jetë pozitiv. Megjithatë është mirë që nga kjo parti thonë se beteja u humb por jo edhe lufta, se me një mobilizim shtesë dhe insistim për parimet e qeverisjes dhe politikat që provon Pendarovski mund të ndryshojë kjo klimë politike në Maqedoni”, u shpreh Gjorgji Spasov, analist.

Analistët presin që fushata zgjedhore të jetë akoma më e ashpër në periudhën e ardhshme, pasi edhe VMRO-ja ka vënë garë me veten për të siguruar 62 mandate deputetësh.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat