Ahmeti nga Struga: Ne jemi rritur me shpata, s’ua kemi frikën

Maqedonia

Ahmeti nga Struga: Ne jemi rritur me shpata, s’ua kemi frikën

Më: 11 prill 2014 Në ora: 23:29

Fushata e zgjedhjeve parlamentare “Bashkë më mirë, Bashkë më të fortë, Bashkë për Evropë” vijoi sonte në Strugë. Në praninë e mijëra qytetarëve struganë kreu i BDI-së, Ali Ahmeti dhe kryesuesi i Listës në Njësinë 5, Musa Xhaferri shpalosën platformën zgjedhore.

Në fjalën e tij, kreu i Partisë, Ahmeti porositi se askush nuk mund ta frikësojë BDI-në, përkundër sulmeve që i drejtohen.

“Nga këtu ju them të gjithë atyre që i janë vërsulur kundër BDI-së se nuk na frikësojnë, sepse malet nuk shemben nga breshri. Por ne kërkojmë urtësi, ne kërkojmë afrim dhe pajtim sepse ky është edhe një vit shumë i dhimbshëm me rastin e 100 vjetorit të Luftërave Ballkanike. Luftërat Ballkanike kanë qenë të kobshme dhe të dhimbshme dhe ne akoma plagët i kemi të hapura, akoma gjakun e kemi të freskët dhe nuk duam t’i përsëritet as Ballkanit e as vendit tonë një skenar i ri. Kërkojmë të jemi pjesë e Evropës dhe ky qëllim do të arrihet, sepse ka qenë qëllim edhe i rilindësve tanë. Mos e harroni Naim Frashërin kur thotë se “dielli lind për ardhmërinë tonë në Perëndim”, tha Ahmeti.

Në lidhje me zgjedhjet presidenciale, që do të zhvillohen të dielën, kreu i BDI-së përsëriti qëndrimin se, asnjëri kandidat që është në garë nuk plotëson kriteret e BDI-së.

“Me 13 prill votohet për kryetar shteti. Ne kandidat nuk kemi sepse nuk arritëm marrëveshje për një kandidat konsensual dhe ne nuk e thërrasim popullin në bojkot, por ne as nuk e thërrasim popullin në votime, sepse nuk kemi kandidat tonin. Kandidatët të cilët janë nuk i plotësojnë standardet dhe kushtet që ka kërkuar BDI. Ne kërkojmë kandidat i cili vetë do të komunikojë, vetë do të kontaktojë edhe me shqiptarët. Ne kemi kërkuar kandidat për kryetar shteti që do t’i ofrojë dhe nuk do t’i ndajë qytetarët sepse kryetari është figurë emblematike. Ditën e diel ju vendosni vetë, por ne kemi marrë një vendim të prerë – BDI përderisa nuk ka kandidat të vetin ditën e diel do të jetë në piknik, kurse të gjithë ata zyrtarë që duan të kontrollojnë procesin, sigurisht që kanë udhëzimet nga shefat e shtabeve se si të veprojnë për procesin”, u shpreh Ahmeti.

Ai tha gjithashtu se, mandati në vijim është përplot me vështirësi e përballje, porse ne “nuk jemi rritur në pambuk, jemi rritur me maja e shpata dhe nuk u trembemi ballafaqimeve”.

“Dhe ashtu si kemi dalë faqebardhë, në të gjitha përpjekjet dhe në suksesin e pritur nga të gjithë ata që na kanë mbështetur për gati 12 vite me radhë. Puna jonë përcaktohet në tre shtyllat kryesore që vendin e çojnë përpara, zbatimi i MO-së dhe frymëzimi i saj, anëtarësimi i vendit në NATO dhe në BE. Zbatimi i MO-së do të thotë barazi e plotë për të gjithë komunitetet që jetojnë në vend, shqiptar, turq, romë, egjiptian. Ky vend u takon të gjithëve, kjo hapësirë dhe ky vend u takon të gjithëve dhe ne njerëzit nuk i ndajmë as sipas fesë e kombit e as sipas ngjyrës, sepse Zoti ua ka dhuruar. Ne nuk mund tua mohojmë atë, sepse po të donte Zoti do të krijonte njerëz vetëm të një ngjyre, të një gjuhe apo kulture. Por ne jemi në sprovë se sa jemi tolerantë ndaj njëri-tjetrit, prandaj ne thirremi në tolerancë ndaj njëri-tjetrit”, vijoi Ahmeti.

Ai riafirmoi përcaktimet dhe vendosmërinë e BDI-së për të anëtarësuar vendin në NATO, ndërsa siguroi qytetarët struganë se, nuk do të zhgënjehen për mbështetjen që i kanë dhënë në vite kësaj partie. Kryesuesi i Listës në Njësinë 5, Musa Xhaferri kujtoi se, para dhjetë vitesh do të bashkohej Struga dhe do të zgjidhej për herë të parë kryetari shqiptar. Kjo ishte rruga e BDI-së e nisur që në vitin 2002, vijoi z. Xhaferri, ku “ne e besuam, e mbështetëm dhe do ta mbështesim Marrëveshjen e Ohrit, e cila krijon drejtësi për të gjithë”.

“Është e drejta jonë kushtetuese që shqiptarët të jenë të përfaqësuar në të gjitha organet shtetërore. Ne na takon përfaqësimi i drejtë si në organet e pushtetit legjislativ, ekzekutiv, në prokurori dhe në të gjitha institucionet. Prandaj nuk është e drejtë të kalkulohen shqiptarët në Kuvend. E drejta shqiptare është e garantuar me Kushtetutë. Ne kërkojmë në këtë fushatë, në këto zgjedhje të parakohshme të mbështesim BDI-në, e cila është pa konkurrencë në zonën tonë nr. 5. Siç duket nga disponimi i elektoratit, ne do të kemi fitore plebishitare dhe do të realizojmë nevojat tuaja në institucionet shtetërore”, tha Xhaferri.

Ai vijoi fjalën duke thënë se, Struga është porti jonë që na lidh më Nënën Shqipëri.

“Por Struga është ajo që na lidh edhe me NATO-n, pasi Shqipëria është anëtare e NATO-s dhe mban flamurin e NATO-s. Unë besoj se së shpejti do të jemi edhe ne në NATO për të garantuar sigurinë tonë”, tha z. Xhaferri.

Ahmeti ndërpret fjalimin për të respktuar ezanin e Jacisë

Kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti gjatë tubimit të sotëm parazgjedhor në Strugë ka bërë një gjest të rëndësishëm duke e ndëprerë fjalimin e tij sonte në Strugë në momentin kur ka filluar të thërret ezani i namazit të Jacisë.

Ahmeti kur po sqaronte programin e BDI-së dhe të arriturat e kësaj partie, ka ndaluar sapo ka nisur ezani në xhaminë pranë sheshit kryesor të qytetit në Strugë.
Heshtja e Ahmetit më pas është transmetuar edhe tek të gjithë të pranishmit, të cilët kanë respektuar ezanin deri në përfundimin e plotë të tij.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat