Maqedoni: Listat zgjedhore, të papastruara

Maqedonia

Maqedoni: Listat zgjedhore, të papastruara

Më: 10 prill 2014 Në ora: 17:34

Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve në Maqedoni të enjten ka filluar me distribuimin e materialit zgjedhor me atë që materiali votues do të jetë në funksion të të gjithë votuesve në listën e vetme zgjedhore, e cila për zgjedhjet e sivjetme presidenciale në Republikën e Maqedonisë numëron 1.779.572 votues.
Ndërkohë, organizata joqeveritare “Civil”, e cila ndjek procesin zgjedhor me 50 vëzhgues të akredituar në një periudhë afatgjate dhe 100 vëzhgues të tjerë, të cilët do të angazhohen në një periudhë afatshkurtër, thekson se janë regjistruar një varg parregullsish gjatë fushatës zgjedhore.
Sipas përfaqësuesve nga organizata “Civil”, një pjesë e parregullsive përputhen dhe me raportet e misionit të OSBE-së, Zyrës për institucione demokratike dhe të drejta njerëzore për periudhën 10 – 26 mars, të publikuar më 31 mars.
Kryetari i kësaj organizate, Xhabir Deralla, për Radion Evropa e Lirë thotë se situata politike në vend është brengosëse dhe se një kohë të gjatë po bëhet fushatë politike agresive parazgjedhore.

“ OJQ ‘Civil’ ka vërejtje për fillimin e fushatave partiake para kohe dhe keqpërdorim të resurseve publike për qëllime partiake. Fillimi para kohe i fushatës, është konstatuar mbi bazën e aktiviteteve partiake në terren, fillimi i takimeve para kohe me qytetarët dhe shpërndarja e materialit promovues, duke përfshirë edhe pllakate, së paku dy javë para fillimit zyrtar të fushatës për zgjedhjet presidenciale”, thotë Deralla.
Ai më pas vërejtje të theksuara apostrofon edhe rreth mosspastrimit të listës zgjedhore, prej ku vijnë dhe manipulimet më të mëdha sa i përket rezultatit të zgjedhjeve.
“Vëzhguesit tanë kanë regjistruar më shumë raste të qytetarëve me të drejtë vote inekzistente ose kemi raste kur një qytetar ka karta të identitetit, duke iu dhënë kështu mundësia që të votojnë në dy vendvotime të dy njësive zgjedhore të ndryshme”, vlerëson Deralla.
Lidhur me këto akuza, nënkryetari i KSHZ-së, Subhi Jakupi, thotë se institucioni që drejton në vazhdimësi punon t’i eliminojë të gjitha parregullsitë, por “ngërçi” rreth listës zgjedhore, mbetet punë e dikasterit të Punëve të Brendshme si organ përgjegjës për shpërndarjen e letërnjoftimeve.
“Vërejtjet e tyre apo të gjitha sugjerimet, të cilat kanë të bëjnë me spastrimin e listës zgjedhore, nga qytetarët apo nga organizatat e ndryshme joqeveritare, si dhe faktori ndërkombëtar, jemi të gatshëm t’i shtrojmë si çështje, po me rëndësi është ndihma, të cilën duhet të na e japë Ministria e Punëve të Brendshme, sepse po aty është ai ngërçi që paraqitet rreth spastrimit të listës zgjedhore”, thekson Jakupi.
Ndërsa, amabasadori amerikan në Shkup, Poll Volers, të mërkurën mbrëma, pas takimit që ka realizuar me liderin e opozitës maqedonase, Zoran Zaev, edhe një herë ka porositur se në çfarë atmosfere të kalojnë zgjedhjet, ashtu do të jetë edhe sinjali që do ta dërgojë Maqedonia në Evropë dhe botë për kapacitete demokratike në vend.
Volers ka thënë se pret zgjedhje të drejta dhe demokratike, pa shtypje gjatë fushatës zgjedhore dhe një ditë të qetë në ditën e zgjedhjeve.

“Ky do të jetë mesazhi që do ta shohin të gjithë. Votimin do ta përcjellin vëzhgues të OSBE-së, por edhe vëzhgues nga ambasadat e Maqedonisë. Me rëndësi është që procesi të jetë transparent dhe demokratik”, ka theksuar Volers.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat