Mahmuti: Thaçi, mbeturinë që po e qelbë kombin shqiptar

Maqedonia

Mahmuti: Thaçi, mbeturinë që po e qelbë kombin shqiptar

Më: 8 prill 2014 Në ora: 14:36

Ish -zëdhënësi i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe Kryetari aktual i Bashkimit Demokratik Shqiptar në Maqedoni, Bardhyl Mahmuti, ka reaguar ashpër ndaj deklaratave të përfaqësuesit të Partisë Demokratike Shqiptare në Maqedoni, Iljaz Halimi.
Halimi, sipas Mahmutit, në emisionin “Rruga e Drejtë” në TV ALSAT M më 2010, pati deklaruar se nuk i intereson politika e humbjes së gjurmëve ilire-shqiptare dhe se shteti i Maqedonisë mund të ndërtojë sa të dojë Kisha ortodokse maqedonase mbi themelet shqiptare.
Ky qëndrim, sipas kreut të BDSH-së, ishte i përpiluar në Zyrën e Shefit të Sigurisë Shtetërore të Maqedonisë, Sasha Mijallkovit.
“Kryetari i PDSH-së, Menduh Thaçi, zgjodhi këtë argat të shërbimeve antishqiptare që të bëhet zëdhënës në gjuhën shqipe i politikës antishqiptare, të gatuara në qarqet neorankoviqiane të Shkupit”, thotë Mahmuti në reagimin e tij dërguar mediave.
“Katër vite më vonë, në zgjedhjet e parakohshme të shtetit të pakohshëm të Maqedonisë, qarqet antishqiptare të Shërbimit Sekret Shtetëror vunë në lëvizje strukturat e tyre për të krijuar përshtypjen se garat presidenciale janë shumetnike. Me urdhër të Sasha Mijallkovit, Kryetari i PDSH-së, Menduh Thaçi, nominoi për kandidat, Iljaz Halimin”, thuhet më tej në reagimin e tij.
Madje, sipas tij, për të manipuluar me ndjenjat fetare të shqiptarëve të Maqedonisë, Menduh Thaçi, Iljaz Halimi dhe të gjithë ata që marrin avdes në legenin e Sasha Mihajllkovit, “janë lëshuar duke u betuar n”All’llah!”.
Ai thotë se populli shqiptar e njeh fare mirë këtë formë të manipulimit dhe nuk do të bie në grackë.
“Të gjithë shqiptarët e Maqedonisë e dinë fare mirë se votat për Menduh Thaçin, Iljaz Halimin dhe kompaninë e tyre janë vota për Sasha Mihajllkovin. Secili qytetar ka të drejtë të votojë për cilin person të dëshirojë. Madje edhe për kandidatët e Sasha Mihajllkovit dhe të shërbimeve tjera antishqiptare”, thotë kryetari i BDI-së, Bardhyl Mahmuti.
“Asnjë anëtar dhe asnjë simpatizant i Bashkimit Demokratik Shqiptar nuk do të votojë për Iljaz Halimin, Menduh Thaçin dhe mbeturinat që e qelbën hapësirën kombëtare shqiptare”, është shprehur më tej Mahmuti.
Ai u bën thirrje anëtarëve të PDSH-së, që, siç thotë ai, janë atdhetarë të mirëfilltë që të mos mbështesin “njerëzit e Shërbimeve antishqiptare”, pasi që “me votën e tyre kundër ata do të kontribuojnë në largimin e pengesave që çështja kombëtare shqiptare në Maqedoni të frymojë më lirshëm”.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat