Rezolutë në SHBA që Maqedonia të bëhet anëtare e NATO-s

Maqedonia

Rezolutë në SHBA që Maqedonia të bëhet anëtare e NATO-s

Më: 8 prill 2014 Në ora: 10:02

Rezoluta për mbështetjen e pranimit të Maqedonisë në NATO e dorëzuar nga Kendis Miler, kryetare e Grupit për miqësi me Maqedoninë në Kongresin e SHBA-së, si bashkësponsorë tashmë ka 12 kongresistë.

Rezoluta i bën thirrje Shtëpisë së Bardhë dhe Departamentit shtetëror të punojnë që të sigurohet pranimi i Maqedonisë në NATO në samitin e Britanisë së Madhe në shtator.

"I vlerësojmë lartë angazhimet e Maqedonisë dhe përkushtimin e saj bashkë me SHBA-në dhe vendet e tjera në zhvillimin e paqes, demokracisë, stabilitetit dhe mirëkuptimit të ndërsjellë. I bëjmë thirrje administratës dhe Departamentit shtetëror të vazhdojnë të punojnë bashkë me Maqedoninë dhe ta mbështesin zgjerimin e NATO-s me dërgimin e ftesës për anëtarësim të plotfuqishëm për Maqedoninë. I bëjmë thirrje administratës dhe Departamentit shtetëror, në interes të bashkëpunimit rajonal dhe situatës aktuale në Ukrainë, të punojnë me Greqinë dhe aleatët e NATO-s që të sigurohet se kontestet bilaterale nuk do ta pengojnë pranimin e Maqedonisë në NATO. I bëjmë thirrje NATO-s formalisht të dërgojë ftesë deri te Maqedonia për pranim në samitin në Britani në shtator të viti 2014", shkruan në rezolutë.

Si bashkësponosrë të rezolutës të Milerit deri më tani janë nënshkruar kongresistët Kristofer Samit, Keri Bentivolio, Adam Kinsinxher, Bill Paskrel, Geri Konoli, Majkëll Tarner dhe të tjerë. Në rezolutë theksohet se Maqedonia deri më tani e ka konfirmuar përkushtimin e saj për anëtarësim në NATO, me pranimin e mbi 400.000 refugjatëve nga Kosova në vitin 1999, me pjesëmarrjen në misionet paqësore në Irak dhe në Afganistan dhe me zhvillimin e armatës moderne e cila është e gatshme të shërbejë bashkë me NATO-n.

Rezoluta thekson se deri më tani 120 ushtarë të Maqedonisë kanë marrë dekorime nga SHBA-ja, ndërsa vendi e jep kontributin e pestë më të madh ndaj misionit në Afganistan, në krahasim me numrin e banorëve. Njëherësh theksohen reformat ekonomike të zbatuara në Maqedoni dhe volitshmëritë të cilat Greqia do t'i marrë nga pranimi i Maqedonisë në NATO.

"Aktgjykimi përfundimtar i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë në dhjetor të vitit 2011, i cili pa mundësi për ankesë të plotfuqishme për të gjitha palët, ishte se Greqia, me kundërshtimin e pranimit të Maqedonisë në NATO në samitin në Bukuresht e shkeli obligimin e nenit 11 të Marrëveshjes kohore të Kombeve të Bashkuara të 13 shtatorit të vitit 1995", shkruan në rezolutën e dorëzuar deri te Kongresi.

Në të përkujtohen deklaratat e presidentit Barak Obama dhe ish-sekretares së shtetit Hilari Klinton se me kënaqësi e presin ditën kur Maqedonia do të bëhet anëtare e NATO-s, gjegjësisht se samiti i Britanisë në shtator të këtij viti duhet të jetë samit i zgjerimit. Për këtë, rezoluta kërkon Kongresi ta mbështesë pranimin e Maqedonisë në NATO. Në ndërkohë, ish-sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Xhorxh Robertson deklaroi se Maqedonia është e gatshme për anëtarësim në NATO dhe duhet ta marrë ftesën e shumëpritur.

"Mendoj se në fund zgjerimi do të jetë pjesë e agjendës së NATO-s, por ai duhet të jetë për vende të cilat kontribuojnë drejt sigurisë, ndërsa jo vetëm të jenë vende të cilat do të kenë dobi nga siguria. Ky gjithmonë ishte parimi në NATO i cili zbatohej dhe do të zbatohet edhe në të ardhmen", deklaroi Robertson.

Ai paralajmëroi për rrezikun e ballkanizimit të Evropës - procesit të referendumit për pavarësinë e Skocisë dhe efektin që mund ta ketë mbi Kataloninë Baskinë apo Flandrinë. Robertson paralajmëroi se veçanërisht në këtë kohë kur Rusia kërkon mundësi për ta shfrytëzuar dobësinë e Evropës, nuk guxon të lejohen procese dezintegruese.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat