Parlamentaret godasin më ashpër, presidencialet nën hije

Maqedonia

Parlamentaret godasin më ashpër, presidencialet nën hije

Më: 7 prill 2014 Në ora: 13:55

Punësime, rroga të mëdha, pensione, ndihmë sociale, më shumë subvencione, investime të huaja, gazifikim, janë vetëm një pjesë e mbi 2.000 projekteve nga programi “Kontrolluar”, me të cilat VMRO-DPMNE pret fitore të re në zgjedhje.

Ata kërkojnë besimin e qytetarëve duke u mbështetur në atë që është punuar në vitet e kaluara, me sloganin “Ka dallim – ti din ta dallosh”. Ndërsa, LSDM ofron “Ndryshime për fillim të ri” me moton “Të kthejmë klasën e mesme”.

Lideri i LSDM-së, Zoran Zaev deklaroi se programi bazohet në tre shtylla, “Të kthejmë klasën e mesme”, “Duam liri” dhe “Investojmë në ardhmëri”.

Sipas Zaevit, LSDM-ja e re e bashkuar dhe e riorganizuar, ka energji, ide dhe ekip që të bëj ndryshimet. Për dallim nga fushata për zgjedhje presidenciale, që po kalon në atmosferë pozitive, pa shumë fyerje mes oponentëve, fushata për zgjedhjet e parakohshme parlamentare filloi pak më ashpër.

“Njerëzit kyç të LSDM-së ikën nga listat, që të ikin nga përgjegjësia e humbjeve të zgjedhjeve, që të thonë por unë nuk isha bartës liste, por kot…”, tha Gruevski në mitingun në Tetovë, transmeton REL. Por, lideri i opozitës Zoran Zaev, në mitingun në Shkup tha se më nuk do të lejojnë shtypje dhe presione nga ana e pushtetit.

“Ajo që deshën të na e vjedhin Maqedoninë, në këto zgjedhje – do ta ndalojmë. Jo vetëm që nuk do të lejojmë – por u premtoj nga ky vend, do të kthejnë gjithçka që nxorën nga Maqedonia në Panama, Zvicër, Çeki dhe në shumë vende tjera! Kanë për t’i kthyer popullit të gjitha ato që i kanë vjedhur.

Qëllimi ynë nuk është vetëm që të rrëzojmë pushtetin jodemokratik të Nikolla Gruevskit, por të arsyetojmë besimin tonë që e ndjejmë ndaj qytetarëve”, ka thënë Zaev nga mitingu në Shkup. Ndërkohë, analistët presin që fushata për zgjedhjet parlamentare të jetë më e ashpër se ajo presidenciale ashtu siç afrohet dita e zgjedhjeve.

“Mendoj se rrjedhën kryesore të fushatës do ta kemi atëherë kur do të përfshihen edhe Shtabet partiake, përkatësisht kur do të fillojë fushata parlamentare bashkë me atë presidenciale”, thotë Petar Arsovski.

“Se ekonomia do të jetë primare në fushatën për zgjedhjet parlamentare paralajmëruan edhe kandidatët për president.

Edhe pse ajo nuk bie nën ingerencat e tyre edhe ata menjëherë filluan me zgjedhjen e pyetjeve ekonomike, ndërsa fushata parlamentare vetëm po e vazhdon atë”, thotë Sasho Klekovski.

“Temat ekonomike do të jenë tema të përhershme, vetëm shpresoj se pas disa viteve do të jenë më të sofistikuara, si sa tatim do të paguajmë, cilat masa do të ndërmerren për grupe të caktuara.

Shumë shpejt kandidatët dolën nga kompetencat e tyre dhe hynë në aspektin ekonomik. Supozoj se qytetarëve perspektivat u janë aq ose më shumë të rëndësishme.

Me fillimin e fushatës për zgjedhjet parlamentare, gara presidenciale do të bie nën hije”, thotë Klekovski. Fushata për zgjedhjet e parakohshme parlamentare filloi më 5 prill.

Më 12 dhe 13 prill, për shkak të raundit të parë të zgjedhjeve presidenciale, fushata për zgjedhjet e parakohshme parlamentare do të ndërpritet, kjo sipas vendimit të KSHZ-së.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat