BDI filloi fushatën për zgjedhjet parlamentare

Maqedonia

BDI filloi fushatën për zgjedhjet parlamentare

Më: 6 prill 2014 Në ora: 10:37

Bashkimi Demokratik për Integrim shënoi sot në ora 14 fillimin e fushatës parazgjedhore nën moton “Bashkë më mirë, Bashkë më të fortë, Bashkë për Europë”.
Fushata nisi në të njëjtën kohë nga Shtëpia e Alfabetit në Manastir, për Njësinë nr. 5, nga fshati Poroj i Tetovës ku u zhvilluan Ligjëratat e Para të Universitetit të Tetovës, për Njësinë nr. 6, dhe në Muzeun e Lirisë në Shkup, për Njësinë nr. 1.

Në të tria vendnisjet e fushatës së Bashkimit Demokratik për Integrim, kryesuesit e listave për njësitë përkatëse, gjegjësisht kandidatët për deputetë, të shoqëruar edhe nga kandidatët e tjerë, bënë deklaratat e para në kuadër të fushatës së zgjedhjeve parlamentare.

Kryesuesja e Listës për Njësinë 1, znj. Ermira Mehmeti tha se, nisja e fushatës së kandidatëve të Njësisë 1, nga Muzeu i Lirisë, është në respekt të të gjithë Veprimtarëve të Çështjes Kombëtare, kontributi deri në vetëmohim i të cilëve përbën frymëzim për BDI-në.

“Frymëzimi ynë për punën e përgjegjshme dhe për interesat e shqiptarëve buron nga periudhat e ndryshme historike të Lëvizjes Kombëtare, që u kurorëzuan me Luftën e vitit 2001 dhe me arritjet e Marrëveshjes Paqësore të Ohrit”, tha znj. Mehmeti.

Ajo shtoi gjithashtu se, vizita në këtë institucion që monumentalizon sakrificën e Veprimtarëve të Çështjes, paraqet thirrjen për një mandat sa më të fortë, për realizimin e çështjeve të rëndësishme kombëtare.

“Në këto zgjedhje ne duhet të nisim punën dhe angazhimin tonë për mandatin e ri legjislativ duke bërë respekt dhe duke dhënë mirënjohjen tonë për të gjithë ata veprimtarë shqiptarë, veprimtarë të kauzës dhe interesave të shqiptarëve. Në këtë mënyrë të demonstrojmë përkushtimin tonë për një mandat po ashtu të përgjegjshëm, llogaridhënës dhe në interes të qytetarëve shqiptarë të cilët do t’i përfaqësojmë”, tha znj Mehmeti.

Kryesuesi Listës për Njësinë 5, z. Musa Xhaferri tha se, vizita në Shtëpinë e Alfabetit Shqip zhvillohet në përkujtim të të gjithë atyre që dhanë kontribut për të unifikuar Alfabetin e Gjuhës Shqipe.

“Me këtë rast ne po zotohemi se amanetet e tyre do të vazhdojmë t’i realizojmë në të ardhmen, duke pasur parasysh se gjuhën shqipe e kemi në piedestalin e programit tonë që ajo të jetë gjuhë zyrtare, e respektuar dhe e përdorur gjithkund në Maqedoni. Kur jemi këtu, ne frymëzohemi nga i gjithë ai kontribut që kanë dhënë burrat e gratë më të mirë të kombit tonë, nga të gjitha krahinat shqiptare. Dhe këtu është shpirti i kulturës sonë kombëtare dhe nga këtu ne do të marrim frymëzim të gjithë së bashku që jemi kandidatë për deputetë në Parlament, që të vazhdojmë me përkushtim të realizojmë amanetet”, tha z. Xhaferri.

Ai u shpreh në vijim se, BDI do të vazhdojë me përpjekjet për të mundësuar rikthimin në Manastir të shumë shqiptarëve të dëbuar.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat