Maqedonia në prag të zgjedhjeve, merr borxh 93.5 milionë euro

Maqedonia

Maqedonia në prag të zgjedhjeve, merr borxh 93.5 milionë euro

Më: 4 prill 2014 Në ora: 11:49

Tri javë para zgjedhjeve të parakohshme parlamentare, Qeveria e Maqedonisë ka marrë hua nga tregu vendas 93.5 milionë euro, duke rritur kështu borxhin shtetëror.

Autoritetet zyrtare thonë se Maqedonia është shteti me borxh më të ulët në rajon, mirëpo ekspertët e ekonomisë theksojnë se pas zgjedhjeve, qeveria e re duhet të kursejë, meqë deficiti buxhetor ka arritur në një nivel që kërcënon stabilitetin ekonomik të vendit.

Radio Europa e Lirë njofton se Nikolla Popovski, ish-ministër i financave tha se fokusi i kritikave lidhur me borxhin maqedonas nuk duhet të vendoset në madhësinë e vlerës së borxhit, por tek arsyet e marrjes borxh. Ai shton se faktor kyç për rritjen e borxhit janë investimet jokapitale, siç është investimi në përmendore dhe ndërtesa administrative dhe jo për infrastrukturë.

Sipas të dhënave të Ministrisë së Financave, në këto 5 vjetët e fundit, borxhi i shtetit është rritur dyfish. Maqedonia e ka mbyllur vitin 2013 me një borxh shtetëror prej 2.757 miliardë eurosh. Kjo shifër shënon kufirin më të lartë të borxhit të shtetit që nga viti 2005, kur ai arriti në vlerën 1.84 miliard euro.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat