Ahmeti: Uashingtoni të shtojë angazhimet pas zgjedhjeve

Maqedonia

Ahmeti: Uashingtoni të shtojë angazhimet pas zgjedhjeve

Më: 4 prill 2014 Në ora: 11:23

Kryetari i BDI-së Ali Ahmeti ka pritur në një takim të radhës Ambasadorin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Maqedoni, Poll Volers.

Ahmeti dhe Ambasadori Amerikan Volers kanë shkëmbyer opinione rreth situatës aktuale politike në kontekst të zgjedhjeve parlamentare dhe presidenciale si dhe rreth domosdoshmërisë së përqendrimit të vëmendjes në zgjidhjen e çështjes së emrit pas zgjedhjeve.

“Z.Ahmeti shpjegoi hollësisht qëndrimet e BDI-së rreth zgjedhjeve presidenciale duke theksuar se iniciativa e BDI-së për një kandidat për president me marrëveshje midis palëve që kanë legjitimitetin tek dy komunitetet shumicë është nismë që i kontribuon pajtimit dhe afrimit të qytetarëve.

BDI nuk do ta ftojë elektoratin që të votojë në zgjedhjet presidenciale pasi që nuk garon me kandidat, por edhe nuk do ta pengojë asnjë qytetar që ta shpreh vullnetin politik, qoftë me mosdalje ose edhe me votim.

Nëse fiton legjitimitetin në zgjedhjet parlamentare, BDI do të vazhdon të jetë partner i denjë i komunitetit ndërkombëtar në realizimin e synimit tonë të përbashkët strategjik, integrimin e Maqedonisë dhe të rajonit në NATO dhe Bashkimin Evropian”, thuhet në komunikatën e kabinetit të Ahmetit.

Sikur edhe Brukselin zyrtar, Ahmeti ftoi edhe Uashingtonin që të shton angazhimin e vet në Maqedoni pas përfundimit të zgjedhjeve dhe bashkërisht t’i tejkalojmë pengesat që po mbajnë peng ardhmërinë e vendit dhe të të gjithë qytetarëve.

Ambasadori Amerikan Volers nga ana tjetër, ritheksoi që SHBA mbështet fuqishëm rrugëtimin e Maqedonisë drejt NATO-s dhe BE-së si dhe përsëriti nevojën që të përqendrohen forcat në tejkalimin e çështjeve që po mbajnë Maqedoninë larg Brukselit menjëherë pas zgjedhjeve më 27 prill.

Ai gjithashtu shprehu pritjet e komunitetit ndërkombëtar për zhvillimin e një procesi të lirë dhe të drejtë zgjedhor./zhurnal

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat