OVL-UÇK niset për 100 mijë nënshkrime!

Maqedonia

OVL-UÇK niset për 100 mijë nënshkrime!

Më: 19 shkurt 2014 Në ora: 10:00

Që nga 13 shkurti i këtij viti ka filluar peticioni në të gjitha qytetet shqiptare të Maqedonisë për grumbullimin e 100 mijë nënshkrimeve që ka për qëllim nxjerrjen e një ligji me të cilin do të rregullohet statusi i familjeve të dëshmorëve, invalidëve të luftës dhe ish pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare (UÇK).

Përfaqësues i autorizuar i peticionit është kryetari i Organizatës së Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare (OVL-UÇK), Besim Hoda. Ai thotë se janë të zhgënjyer nga subjektet politike shqiptare të cilat deri më tani nuk kanë bërë asnjë hap për të rregulluar statusin e familjeve të dëshmorëve, invalidëve të luftës dhe ish pjesëtarëve të UÇK-së.

Hoda është optimist se brenda një afati 30 ditësh sa edhe do të zgjatë peticioni do të sigurojnë të paktën 100 mijë nënshkrime nga qytetarët shqiptarë.

“Adresa kryesore është NATO-ja sepse armatimin ua dorëzuam në besë forcave të Aleancës dhe sigurisht që na takon që të kërkojmë mbështetjen e tyre për rregullimin e statusit tonë”, thotë Hoda.

Pas kësaj, peticioni me nënshkrimet e mbledhura do t’iu dërgohet tre faktorëve kryesor të cilët njëherësh janë nënshkrues dhe garantues të Marrëveshjes së Ohrit, NATO, Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA).

“Duke konsideruar se një trajtim dhe definim i këtillë i ish ushtarëve të UÇK-së shkel rëndë kushtet dhe parimet që vendosën paqen me Marrëveshjen e Ohrit si dhe zbatimi i saj në praktikë përbën një zhgënjim të thellë për ne të nënshkruarit e këtij peticioni.

Në cilësi të garantueses së Marrëveshjes së Ohrit NATO kërkojmë që NATO ti bëjë trysni dhe rekomandim të prerë qeverisë së Maqedonisë që të përmbushë obligimin e marrë nga Marrëveshja e Ohrit për nxjerrjen e një ligji unik për ish-ushtarët e të dyja palëve të përfshira në konflikt me të drejta dhe privilegj të barabarta për të dyja palët e përfshira në konflikt.

Në cilësi të garantues së paqes, NATO ta përfshijë nxjerrjen e këtij ligji si kusht të padiskutueshëm për aderimin e Maqedonisë në anëtarësinë e Aleancës”, deklaroi për ‘Zhurnal plus”, Besim Hoda kryetar i OVL-UÇK-së dhe përfaqësues i autorizuar i peticionit.

Ai më tej thekson se janë të shqetësuar duke nisur nga ajo se sot shumë familje të dëshmorëve janë në gjendje tejet të rëndë dhe ndjehen totalisht të pafuqishëm sepse nuk e dinë se ku të orientohen dhe ku të kërkojnë ndihmë për ta.

“Duke u nisur edhe nga ajo që armët në vitin 2001 ua dorëzuam një nga një forcave të NATO-s, garantuese dhe nënshkruese të Marrëveshjes së Ohrit, garantuese të paqes dhe sigurisë në botë ne kemi menduar se duhet ti drejtohemi Selisë së NATO-s, konkretisht Sekretarit të përgjithshëm të Aleancës, BE-së dhe SHBA-ve sepse ata ishin garantues të Marrëveshjes së Ohrit e cila edhe sot e kësaj dite nuk po respektohet, fatkeqësisht”, tha mes tjerash Hoda.

Peticioni rrjedh në dy mënyra, e para është në mënyrën e shkruar direkt në të gjitha qytetet shqiptare në Maqedoni ku janë vendosur tenda dhe shumë qytetarë ndalen në mënyrë vullnetare dhe japin nënshkrimin e tyre.

Hoda shton se kanë mbështetje të madhe në këtë drejtim. Sipas tij, në Strugë janë nënshkruar të gjitha faktorët politik, duke filluar nga kryetari i komunës së Strugës, deputetët e zonës, kryetarët e degëve të partive e kështu me radhë. Ai potencon se janë në pritje të nënshkrimit edhe nga liderët politik shqiptar, të cilët deri më tani nuk e kanë bërë një gjë të tillë.

“Jemi të bindur se jo 100 mijë por do të mbledhim më shumë nënshkrime, ndërsa problemin kryesor e kemi te koha e mundësisë së lëvizjes dhe mundësive financiare që kemi për të lëvizur sepse të gjitha lëvizjet bëhen me makina personale.

Brenda lëvizjeve vazhdimisht përcillemi edhe nga shërbimet, brenda natës ose ditës, të cilët jo vetëm që përcjellin makinat me të cilat lëvizim po fatkeqësisht me prezencën e tyre frikësojnë edhe njerëzit të cilët pa asnjë interes qëndrojnë në tendat ku mblidhen nënshkrimet”, bën të ditur Besim Hoda.

Ai thotë se prej të premten kanë filluar iniciativën në vendet rurale që do të jetë një hapësirë shumë e madhe dhe shumë e gjerë. “Në bazë të kapacitetit financiar që kemi do të na duhet shumë kohë për të arritur në të gjitha vendbanimet.

Qytetarët kanë frikë të nënshkruhen sepse me përhapjen e pllakateve që bëjmë individë të caktuar të partive politike mundohen ti deinkurajojnë qytetarët e interesuar për t’u nënshkruar”, sqaron Hoda.

Përndryshe, peticioni I cili ka filluar të enjten më 13 shkurt do të zhvillohet kryesisht në dy fazë edhe atë dhjetë ditë përmes nënshkrimeve direke dhe 20 ditë përmes internetit ku qytetarët nëpërmjet linkut të përbashkët mund të plotësojnë formularin online në mbështetje peticionit.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat