Gostivari përkujtoi vëllezërit Gërvalla e Kadri Zekën

Maqedonia

Gostivari përkujtoi vëllezërit Gërvalla e Kadri Zekën

Më: 17 janar 2014 Në ora: 16:40

Gostivar, 17 janar- Gostivari sot për të nëntin vit me radhë i kujtoi vëllezërit Jusuf dhe Bardhosh Gërvalla dhe Kadri Zekën, jetën dhe veprën e tyre. Në Qendrën për Kulturë në Gostivar, në organizim të Shoqërisë Kulturore Artistike “Lulet e Malësisë”, u organizua Akademi përkujtimore “Flaka e Janarit 2014”.

Në akademi morën pjesë familjar të dëshmorëve, invalid dhe veteran të luftërave, bashkëveprimtar të Jusuf dhe Bardhosh Gërvallës dhe Kadri Zekës, një numër i madh i qytetarëve të Gostivarit dhe vendbanimeve tjera shqiptare si dhe udhëheqës të institucioneve lokale dhe qendrore, por edhe Muftinisë së Bashkësisë Fetare Islame në Gostivar.

Kryetari i komunës së Gostivarit, Nevzat Bejta, ish kryetari i Lëvizjes Popullore të Kosovës, Emrush Xhemajli, veprimtari Gafur Elshani, i biri i dëshmorit Beqir Limani, Fatmir Limani ishin folësit të cilët evokuan kujtimet dhe folën për jetën dhe veprën e vëllezërve Gërvalla dhe Kadri Zekës.

Imran Zhupani në referatin kushtuar kësaj akademie tha bashkimi i celulave organizative të mërgatës shqiptare në një zë të vetëm dhe sensibilizimi i opinionit ndërkombëtar për çështjen shqiptare në Jugosllavi do të bëheshin alfa dhe omega e veprimit të trinomit Jusufi, Bardhoshi, Kadriu. “Roli i mërgatës shqiptare në të gjitha periudhat historike mbetet i pazëvendësueshëm në shtegtimin e kombit drejtë zgjidhjes së çështjes shqiptare.

Ata janë gurëthemeltarët, shpirti i atdheut, dhimbja dhe krenaria jonë. Janari është i ftohtë, por nuk mund ta shuajë flakën e janarit që ne ndezim në zemrat tona në përkujtim të Jusufit, Bardhoshit, Kadriut”, tha Zhupani. Kryetari i komunës së Gostivarit, Nevzat Bejta në fjalën e tij tha se vëllezërit Jusuf dhe Bardhosh Gërvalla dhe Kadri Zeka bën aktivitet në interes të atdheut dhe në interes të kombit, që në të ardhmen rinia shqiptare të ketë një ardhmëri të mirë.

“Ne i kujtojmë ata sepse ata ndiqnin një rrugë të drejtë dhe rruga e drejtë e tyre e solli kombin shqiptar në ditë më të mira. Ne kemi qenë të lidhur bashkë me Kosovën sepse të njëjtën veprimtari e kemi bërë për të njëjtin qëllim, që shqiptarët si në Kosovë dhe në Maqedoni të jenë të barabartë dhe të jetojnë të barabartë me popujt tjerë. Jusufi, Bardhoshi dhe Kadriu, sakrifikuan jetën e tyre për një ardhmëri më të mirë.

Asnjëherë nuk do të shuhet “Flaka e Janarit”, drita e dëshmorëve çdoherë do të jetë mbi ne, për shkak se askush nuk e donë errësirën, secili e donë dritën. Në të ardhmen sebashku ne dhe trashëgimtarët tonë do vazhdojmë të punojmë që drita mos shuhet në tokat shqiptare”, tha kryetari Bejta. Të besoni ashtu sikurse keni besuar tash e sa vite, tha ish kryetari i Lëvizjes Popullore të Kosovës, Emrush Xhemajli. “Pas emrit të Kadriut, Jusufit, Bardhoshit dhe pas shpirtit të dëshmorëve të tjerë të atdheut, ne do të jemi bashkë ashtu siç na do zemra dhe ashtu siç e kanë lanë amanet dëshmorët”, theksoi mes tjerash Xhemajli.zhurnal

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat