Thaçi, takim me Ramën: Integrimi i bllokuar, Shkupi politikë antishqiptare

Maqedonia

Thaçi, takim me Ramën: Integrimi i bllokuar, Shkupi politikë antishqiptare

Më: 27 dhjetor 2013 Në ora: 17:45

Kryetari i Partisë Demokratike Shqiptare, Menduh Thaçi, ka realizuar sot një vizitë zyrtare në Tiranë, ku është takuar me kryeministrin e Republikës së Shqipërisë, z. Edi Rama.

Në takim është biseduar për çështje me rëndësi për shqiptarët, për zhvillimet e fundit politike në vend dhe në rajon, për procesin integrues të dy vendeve si dhe për tema të tjera me interes të përbashkët.

Thaçi ka informuar kryeministrin shqiptar se procesi integrues i Maqedonisë është plotësisht i bllokuar dhe se nuk ka ende asnjë sinjal që do të nënkuptonte zhbllokimin e këtij procesi.

Kryetari i PDSH-së ka shprehur qëndrimin se “qeveria e Maqedonisë vazhdon edhe më tej të me politikën antishqiptare duke i diskriminuar dhe varfëruar skajshmërisht shqiptarët dhe si pasojë gjendja e shqiptarëve në Maqedoni është më e rëndë se asnjëherë më parë”.

Në anën e tij, kryeministri i Shqipërisë ka falënderuar kryetarin e PDSH-së për informatat burimore rreth zhvillimeve në Maqedoni, duke potencuar se Qeveria e Shqipërisë ndjek me vëmendje të veçantë situatën aktuale politike në Maqedoni dhe se “integrimi sa më i shpejtë i vendit në strukturat euroatlantike do të ishte në interes jo vetëm të shqiptarëve, por edhe të mbar rajonit”, shkruan Zhurnal.

Takimi ka kaluar në një atmosfere tejet miqësore, me ç’rast bashkëbiseduesit kanë rënë dakord që me kontakte të shpeshta të kontribuojnë në çuarjen përpara të proceseve demokratike në vend dhe në rajon.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat