Pse hesht Prishtina për varrezat e kosovarëve në Zajaz

Maqedonia

Pse hesht Prishtina për varrezat e kosovarëve në Zajaz

Më: 6 dhjetor 2013 Në ora: 14:15

Autoritetet kosovare, por edhe historianët nga Kosova kanë zgjedhur heshtjen në lidhje me dyshimet se memoriali “Nëna shqiptare” në Zajaz është ngritur mbi varrezat e Kosovarëve të vrarë në vitin 1914-1918.

Ambasada e Kosovës në Shkup edhe pas disa ditëve nuk është përgjigjur në lidhje me këtë çështje. “Këto informacione janë ende të pakonfirmuara. Kur të ketë diçka konkrete do t’ju tregojmë”, kanë potencuar nga ambasada e Kosovës në Shkup.

Po ashtu kanë hezituar të përgjigjen në lidhje me këtë çështje edhe historianët nga Kosova, të cilët pasi kërkuan që pyetjen t’ua dërgojmë me email, nuk u përgjigjën edhe pas disa ditëve.

Analisti Arsim Zekolli thotë se është tragjike që Ambasada e Kosovës në Maqedoni hesht kur cenohen eshtrat e të vdekurve para 100 vitesh, të cilat mbulohen nga vet shqiptarët, pa ndikim nga maqedonasit. “Është tragjike, vërtet, që Ambasada e Kosovës në Maqedoni hesht kur cenohen të drejtat e Shqiptareve sot dhe retushohet historia jonë që ngushtë ndërlidhet me atë të Kosovës. Por është pothuajse tragji-komike kur vërejmë këtë heshtje të mjerë edhe kur cenohen eshtrat e të vdekurve para 100 vitesh e që mbulohen nga vet shqiptarët, pa ndikim nga maqedonasit. Ambasada e Kosovës hesht për çështje që kanë të bëjnë me të drejtat e bashkëkombësve të vet, dhe heshtjen e zëvendëson me kolumna përkëdhelëse dhe servile ndaj maqedonasve në kujtim të tërmetit të vitit 1963. Por nuk duhet t’ua zëmë për të madhe këtë sjellje të ambasadorit Ylber Hysa dhe diplomatëve të tij. Ata vetëm se me shkathtësi i adaptohen mentalitetit vendor të arrogancës nga injoranca, mendjemadhësia, nga padituria dhe servilitetit nga frika”, thotë ai. Zekolli sqaron se çështja e varrezave të Kosovarëve në rrethin e Kërçovës e ka një simbolizëm morbid historik dhe një dimension dinak politik.

“Simbolizmi morbid u shpalos nga z. Veliu në reagimin e tij për mbulesën e një historie të dhimbshme nga e kaluara jonë, që dikush tinzarisht tenton ta mbulon dhe zhduk nga kujtesa e kombit. Uroj z. Veliu për këtë gjest të tij vërtet dinjitoz dhe me peshë të lartë kombëtare. Dimension i dinakërisë politike të skandalit me Nënën Shqiptare është vetëm se një pjesë e vogël e politikes sistematike të izolimit të Shqiptarëve të Maqedonisë nga trungu kombëtar, posaçërisht nga Kosova, që është thelbi i politikes te disa qarqeve nacionalisti maqedonase dhe serbe për të zbehur deri në irelevance dhe këputur kohezionin kombëtarë të shqiptareve nga ish-Jugosllavia. Kjo qasje e anti-kosovarizmit të hapur, nën petkun e përkujdesjes për ‘stabilitetin në rajon’ përkrahet edhe nga ShBA dhe BE dhe partitë e mëdha shqiptare në Maqedoni, kryesisht nga BDI, por edhe nga PDSh-ja të cilat për interesa të ngushta të mbijetesave politike dhe nën ndikim të lobeve kriminale nga Tetova dhe Kërçova zhvlerësojnë Shkupin dhe Kumanovën, si qendra të njohura që ndërlidhnin shqiptarët e Maqedonisë me shqiptaret e Kosovës”, vlerëson analisti Arsim Zekolli. Ai thotë se pjesë përbërëse e kësaj qasjeje është edhe ky retushim i historisë së përafërt që e bën BDI që aspiron të minimizon kontributin e shqiptareve nga Shkupi dhe posaçërisht Kumanova gjatë luftës 2001, duke lartësuar Kërçovën në piedestal të kryengritjes.

“Është vërtet e dhimbshme kur z. Ali Ahmeti injoron varret e çunave nga Kumanova dhe Shkupi, dhe aq më shumë e turpshme kur përfaqësuesit e BDI nga këto dy qytete i përkëdhelen komandantit duke siguruar fonde për monumente në Zajaz, por heshtin deri sa vendlindja e tyre zbrazet nga të rinjtë dhe ndahet përmes projektit Shkupi 2014. Prandaj nuk duhet të kemi frike të konstatojmë këto dy dukuri paralele – sa me shumë copëtohet Shkupi dhe Kumanova, aq me shumë zhvillohen Kërçova dhe Tetova. Sa me shumë rrihen të rinjtë shqiptar në Shkup, sa më shumë deshqiptarizohet Shkupi i vjetër, aq me shumë shtohen bizneset që ndërlidhen me zyrtarë të lartë integrist nga Tetova dhe Kërçova të vendosur mu në zemër të Shkupit. Te mos gënjehemi, kjo gjithsesi nuk është e rastësishme”, thotë ai. Zekolli sqaron se pjesë përbërëse e kësaj qasjeje është edhe inzhingjeringu i agjenturave vendore dhe të huaja për të imponuar vetëdijen fetare në kurriz të asaj kombëtare, që aspiron që Piemontet kombëtare Prishtinën dhe Tiranën ti zëvendëson me Ankaranë, Stambollin dhe botën Arabe, që është vetëm se një manipulim klasik politik. “Si ndodh përndryshe që zyrtart nga BDI reagojnë me aq mllef ndaj mediumeve nga Kosova kur shkruajnë për gjendjen te ne, por nuk i pengon – aq me shumë – ndihmojnë vizitat e personave kontrovers fetar nëpër stadium të qytetit? Si ndodh që në Shkup mund te gjeni gazeta nga Londra, nga Zagrebi, nga Beogradi e Moska, por jo edhe shtypin nga Shqipëria dhe Kosova? Si ndodhe që zyrtareve të BDI më shumë u pengojnë gazetat në gjuhen shqipe nga Prishtina, se sa nënshkrimi i marrëveshjes për angazhim të policisë serbe në Maqedoni?”, pyet Zekolli

Pas përurimit të Memorialit “Nëna Shqiptare” në Zajaz , drejtori i Muzeut të Kërçovës Ilmi Veliu nëpërmjet një reagimi dërguar në “Lajm” sqaronte se Memoriali është vendosur te vendi i quajtur "Varret e Babunecit" që kanë qenë varre të kosovarëve të vrarë në vitin 1914-1918.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat