60 vjeçarja Feride Bilalli paditet për armëmbajtje pa leje

Maqedonia

60 vjeçarja Feride Bilalli paditet për armëmbajtje pa leje

Më: 23 tetor 2012 Në ora: 10:30

Prokuroria Themelore në Kumanovë ka ngritur aktakuzë kundër të moshuarës 60 vjeçare Feride Bilalli nga fshati Hotël, për armëmbajtje pa leje. Në aksionin policor ‘Monstra’ të datës 1 maj të këtij viti, policia kishte hyrë në shtëpinë e zonjës Bilalli, duke e arrestuar atë, ndërsa në shtëpinë e saj, sipas prokurorisë ishin gjetur vetëm plumba të disa lloje armësh. Me këtë aktakuzë, 60 vjeçare Feride Bilalli rrezikon të dënohet me 5 vjet burg.

“Po, sot e pranova aktakuzën kundër Feride Bilalli për mbajtjen e armëve pa leje. Pra nuk është Gjyqi i Krimit të Organizuar që e filloi këtë proces, por këtë lëndë do ta ketë Gjyqi Themelor i Kumanovës. Akuza është për armëmbajtje pa leje. Nuk ka bazë për këtë, e dini edhe vet se është një grua në moshë bile edhe e sëmurë dhe nuk ka lidhje me këtë, dhe nuk është ndonjë armë për të cilën themi se mund të akuzohet, por bëhet fjalë për disa plumba të vjetër që nuk janë në përdorim. Disa plumba janë gjetur, uniformë nga koha e konfliktit 2001, kanë gjetur një sasi shumë të vogël të plumbave, jo armë konkretisht, por plumba për armë, që nuk është e lejuar për civilë, por që nuk ka lidhje e akuzuara me pronën e tyre dhe që janë të personit që e kemi argumentuar në fazën e hetimit”, tha Naser Raufi, avokat.

Ndërsa në maj të këtij viti, pas aksionit policor ‘Monstra’, Feride Bilalli, në një intervistë për ALSAT M, shpjegoi aksionin e policisë që kishte gjetur disa fishekë, të cilët ai i ruante kujtim nga vëllai i saj i ndjerë nga koha kur ai kishte qenë ish ushtar i UÇK-së.

“I kam pas disa tesha të UÇK-së, kanë qenë të vëllait tim, të Hamzisë, rahmetlisë, ai ka vdekur, tani edhe djali ka shkuar pas tre muajsh lufta si mbaroi, ka shkuar edhe ai atje, ka shkuar me dajën, i ka marrë teshat e dajës, është vesh, është fotografuar, edhe kanë qenë fotografitë aty, i kanë marrë edhe i kanë gjet disa okfira, disa fishekë të këqij të prishtë”, tha Feride Bilalli, e akuzuar për armëmbajtje pa leje (03.05.2012)

Ndërkohë, për sa i përket të akuzuarve tjerë për vrasjen e pesëfishtë në liqenin e Smillkovës, avokati Naser Raufi tha se edhe pas dëgjimit të dëshmitarit të mbrojtur nuk ka prova të cilat mund të inkriminojnë të ndaluarit, si autorë të vërtetë të vrasjes së pesëfishtë. Pas marrjes në pyetje të dëshmitarit të mbrojtur deri të premten, duhet të ngrihet aktakuzë ndaj 6 personave të akuzuar, në të kundërtën ata duhet të lihen në liri, pasi përfundon paraburgimi i 6 dhe i fundit, i parashikuar nga ligji.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat