Ali Ahmeti viziton shqiptarët e rrethit të Velesit dhe përuron rrugën e re

Maqedonia

Ali Ahmeti viziton shqiptarët e rrethit të Velesit dhe përuron rrugën e re

Më: 19 tetor 2012 Në ora: 18:02

Kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti, ka vizituar sot shqiptarët që jetojnë në rrethinën e Velesit si dhe ka marrë pjesë në përurimin e rrugës që lidh qytetin e Velesit me fshatrat Jabollçisht i Epërm dhe Jabollçisht i Poshtëm, thuhet në komunikatën e kabinetit të Kryetarit të BDI-së.

Në përurimin solemn të rrugës, e cila është e gjatë rreth 9 kilometra, e realizuar në një fazë kanë marrë pjesë edhe funksionarë të tjerë të lartë. I gjithë projekti ka kushtuar mbi 48 milionë denarë dhe është realizuar me mjete nga Agjencia për rrugë shtetërore.

Në fjalën e tij, siç shtohet në komunikatë, Ahmeti është përqëndruar në rëndësinë e këtij investimi shumë të rëndësishëm për këtë anë.

"Në të kaluarën janë bërë padrejtësi historike dhe ato sot duhet të përmirësohen sepse e kaluara duhet të na shërbejë për ta kujtuar dhe të mos përsësritet asnjëherë. Padrejtësitë ndaj njeri tjetrit nuk guxojnë të përsëriten sepse e ardhmja jonë është e përbashkët. Më këtu nuk do të vij për fushata zgjedhore, por vetëm për t'u takuar juve sepse bashkë duhet të bëjmë edhe punë të tjera, siç janë rrugë të reja per të lidhur këtë vend me Dollnenin, Brodin, Kërçovën. Rrugët lidhin njerëzit dhe e bëjnë vendin më të begatë. Ne bëjmë përpjekje që qytetarët të jetojnë në begati dhe harmoni sepse ky vend na takon të gjithë neve dhe këtu mund të jetohet nëse punohet kështu siç kemi punuar gjer më sot", ka theksuar kryetari i BDI-së Ali Ahmeti.

Ndërtimi i rrugës, siç thuhet, paraqet një lehtësim të madh për banorët e këtyre anëve dhe ishte premtuar nga kryetari i BDI-së gjatë vizitës së fundit në këtë anë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat