Ahmeti: Hasan Prishtina ka qenë shembulli i shqiptarisë

Maqedonia

Ahmeti: Hasan Prishtina ka qenë shembulli i shqiptarisë

Më: 12 tetor 2012 Në ora: 19:56

Akademi solemne në Shkup kushtuar veprimtarisë së Hasan Prishtinës

Sot është mbajtur Akademia solemne "Veprimtaria atdhetare e Hasan Prishtinës", ku morën pjesë personalite të cekur nga Maqedonia, Kosova dhe Shqipëria. Në këtë solemnitet i pranishëm ishte edhe kryetari i BDI-së Ali Ahmeti, i cili e përgëzoi nismën për manifestimin dhe përkujtimin e Hasan Prishtinës, sepse siç tha, "qyteti i Shkupit është kryeqyteti i Dardanisë kreshnike".

"Hasan Prishtina ka qenë shembulli i shqiptarisë, ka qenë një politikan modern. Shfrytëzoj rastin që të vlerësoj dhe komplimentojë kryetarin e komunës së Çairit, Izet Mexhiti për vendosjen e shtatores së Hasan Prishtinës", tha Ahmeti.

Referatin kryesor të veprimtarisë shkencore të Hasan Prishtinës e prezantoi akademiku Alajdin Abazi.

"Emri i Hasan Prishtinës është ngusht i lidhur me qytetin e Shkupit, andaj që në fillim jam i nderuar që në prag të 100 vjetorit të pavarësisë së Shqipërisë këtu në Shkup më është dhënë mundësia të shpalos pjesë nga jeta dhe veprimtaria e tij. Hasan Prishtina njihet si figurë markante dhe personalitet i spikatur i historisë sonë kombëtare. Ai ka lënë gjurmë të pashlyeshme ndër kohëra. Hasan Prishtina brenda një periudhe të shkurtër zuri pozita në administratën e perandorisë turke", tha Abazi.

Ai theksoi se Hasan Prishtina njihte shumë gjuhë, sidomos u bë i njohur pas vitit 1908 kur u zgjodh deputet i Prishtinës në Parlamentin Osman, kur dhe nderoi emrin e Prishtinës.

Drejtori i ITKSHSH-së Shefqet Zekolli me këtë rast tha se janë mbledhur këtu në Akademinë për të kujtuar njërin ndër personalitetet më të shquar të historisë sonë dhe për të shprehur respektin e madh për aktivitetet atdhetare njerëzore të Hasan Prishtinës.

"Aktiviteti kishte filluar qysh në rininë e tij të hershme për t'u kulmuar me shpalljen e pavarësisë së Shqipërisë më nëntor të vitit 1912 dhe të vazhduara prej brezave të mëvonshëm të cilët sollën edhe pavarësinë e Kosovës të vitit 2008. Andaj me të drejtë është konstatuar se Hasan Prishtina është njëri ndër figurat më emblematike të kombit shqiptar", tha Zekolli.

Nesër në ora 14:00 do të promovohen dy libra të autorit Qerim Lita, ndërkaq shtatorja e Hasan Prishtinës inaugurohet të dielën pasdite.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat