Rikonstruimi i Qeverisë, partnerët heshtin

Maqedonia

Rikonstruimi i Qeverisë, partnerët heshtin

Më: 9 tetor 2012 Në ora: 19:42

Nuk kemi filluar bisedime me VMRO DPMNE për rekonstruim të Qeverisë. Ky është qëndrimi zyrtar i BDI-së pas paralajmërimeve se partnerët e koalicionit pikërisht në rekonstruimin e kabinetit qeveritar do të mundohet të harmonizojnë dallimet rreth çështjeve që ngritën tensione edhe në opinion e gjerë. Kjo le të nënkuptohet se megjithatë bisedimet mund të fillojnë në ditët në vazhdim.

Indikativ është edhe heshtja e VMRO DPMNE-së gjegjësisht kreut të kësaj partie Nikolla Gruevski i cili edhe sot sikurse dje nuk deshi të flas për gazetarët edhe pse u paraqit në dy evenimente të ndryshme. Kryeministri Nikolla Gruevski, pasi i shpëtoi votëbesimit të Qeverisë, ende nuk është prononcuar për raportet me partinë e Ahmetit apo për mundësinë e rikonstruimit të kabinetit të tij.

Sipas paralajmërimeve, partnerët e koalicionit Ahmeti dhe Gruevski nëpërmjet rikonstruimit të Qeverisë dhe këmbimit të ministrive do të tentojnë të tejkalojnë dallimet që janë shfaqur mes tyre, për sa i përket përkuljes së ministrit të mbrojtjes Fatmir Besimi para dëshmorëve të UÇK-së, propozim ligjit të branitellave, riemërtimit të shkollave në Çair dhe mbylljen e paraleleve të nxënësve shqiptarë.

Ministria e Ekonomisë do të zëvendësohet me atë të arsimit, me çka një nga problemet dhe dallimet e mëdha që ekzistojnë mes partnerëve të koalicionit, riemërtimi i shkollave do të mbyllet pa ndonjë bujë të madhe. Ministri aktual i ekonomisë Saraqini mund të lëvizë në post të ri, por jo ministror, thonë burime brenda BDI-së. Më së afërmi është Saraqini të ulet në postin e drejtorit të drejtorisë për investime të huaja edhe pse edhe këtë post nuk e ka të garantuar. Ndryshe siç njoftuam dje nuk përjashtohet mundësia që BDI të lë edhe ministrin e pushtetit lokal, nëse Nevzat Bejta do të kandidohet për kryetar të Komunës së Gostivarit.

Ndër emrat e përmendur që do ta lëshojnë kabinetin e Gruevskit përmendet edhe zv.kryeministrja për eurointegrime Teuta Arifi e cila përmendet si kandidate për kryetare të Tetovës. Partia e kryeministrit Gruevski, VMRO DPMNE-ja kërkesë kryesore ka largimin e ministrit të mbrojtjes Fatmir Besimi, me qëllim që me këtë dikaster të udhëheq kuadër i partisë së Gruevskit. Burime brenda partisë së Ahmetit thonë se një gjë e tillë do të ndodhë vetëm nëse BDI do të drejtonte MPB-në apo Ministrinë e Financave. Të gjitha këto ndryshime sipas paralajmërimeve pritet të ndodhin në dhjetor të këtij viti, tre muaj para mbajtjes së zgjedhjeve lokale.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat