Mocioni ndaj qeverisë, Heshtin partitë në pushtet

Maqedonia

Mocioni ndaj qeverisë, Heshtin partitë në pushtet

Më: 4 tetor 2012 Në ora: 15:58

Kryetari i Kuvendit të Maqedonisë, Trajko Veljanovski ka caktuar për nesër seancën për mocionin e votëbesimit të qeverisë të ngritur nga grupi parlamentar i lidhjes socialdemokrate të opozitës.

Mocioni është iniciuar pas paraqitjes së mospajtimeve mes partive në pushtet VMRO-DPMNE dhe BDI-së, lidhur me propozim-ligjin për zhdëmtimin e forcave maqedonase të sigurimit nga konflikti i vitit 2001, që përjashton nga përfitimet e parapara ish-pjesëtarët e UÇK-së, që po ashtu disa vite me radhë kërkojnë zgjidhjen e statusit të tyre.

Mospajtimet rreth këtij propozim-ligji, ndërkohë kanë shtuar dallimet mes partnerëve qeveritarë, të cilët, kanë sfiduar njëri tjetrën me ndryshimin e emrave të shkollave nga maqedonas në shqiptar, siç ka bërë BDI-ja, apo me shuarjen e paraleleve shqiptare në arsimin fillor nga ana e VMRO-DPMNE-së.

Opozita në përgjithësi, gjithë këto përplasje mes partnerëve të koalicionit i kanë quajtur improvizime dhe lojë për rritjen e popullaritet të tyre në rënie, në prag të zgjedhjeve lokale që duhet të mbahen në mars të vitit të ardhshëm.

Mocioni i opozitës, ndërkohë, po kalon në heshtje nga partitë në pushtet. BDI-ja ka njoftuar se qëndrimi i saj do të dihet në seancën e nesërme, ndërsa partia e kryeministrit Gruevski ende nuk ka dalë me asnjë qëndrim.

Nga ana tjetër, edhe njohësit e zhvillimeve politike dyshojnë se gjithçka është lojë dhe qeveria se megjithatë do t'i mbijetojë mocionit.

Zdravko Savevski thotë se mungesa e seriozitetit dhe e vullnetit për zgjidhjen e krizës paraqet edhe një dëshmi se kriza është artificiale.

“Presidenti i shtetit në këtë situatë duhet t’i thërras në një takim liderët e partive, që të ulen dhe të bisedojnë për problemet. Mosmarrja e një nisme të tillë edhe më shumë forcon bindjen time se e gjithë kjo krizë qeveritare është e sajuar nga ana e VMRO-DPMNE-se dhe BDI-së me qëllim zgjimin e nacionalizmit dhe arritjen e mbështetjes më të madhe tek elektorati”, thotë Savevski.

Ai vlerëson se rënia eventuale e qeverisë për shkaqe ndëretnike do të ishte një skenar jo i mirë që do t’i tensiononte edhe më shumë raportet mes dy etniteteve më të mëdha në vend, andaj thotë ai, edhe opozita e cila ka të drejtë të iniciojë mocion të votëbesimit duke të ketë kujdes që të mos kontribuoj në përkeqësimit e gjendjes.

Ndërkohë, duke komentuar mocionin e votëbesimit dhe rezultatin e tij, analisti Hasan Jashari, thekson.

“Këto janë lojëra të rregullta dhe forma zyrtare të veprimit të partive politike dhe në këtë rast mendoj se nuk ka gjasa që të bie qeveria pasi pozita i ka votat dhe natyrisht se nuk do të votojë që të humbë pushtetit, por është më se evidente se do të ketë një dridhje të qeverisë”, u shpreh Jashari.

Seanca do të fillojë në orën 12 dhe në rast se kryeministri nuk kërkon që të votohet pa debat, atëherë ajo do të zgjasë deri në mesnatë kur edhe do të votohet nga ana e deputetëve.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat