'Paralelet-Kralev', Komisioni shqyrton ligjin për arsim fillor

Maqedonia

'Paralelet-Kralev', Komisioni shqyrton ligjin për arsim fillor

Më: 3 tetor 2012 Në ora: 09:23

Për 4 javë, maksimumi 6, pritet të marrin fund lojërat që bëjnë krerët e komunave me nxënësit, me kombinimin e paraleleve nëpër shkolla. Komisioni i formuar në Qeveri do të interpretojë paragrafët kontestuese të Ligjit për Arsim Fillor, që linin hapësirë mbi përcaktimin e numrit të paraleleve shkollore, të nxënësve në to, si dhe mbylljen e tyre. Ministri i Arsimit dhe Shkencës, Pançe Kralev tha se komisioni sapo ka mbajtur mbledhjen e parë dhe së shpejti do të dalë me rekomandime se si do të funksionojë në të ardhmen ky sistem me qëllim shmangen e rasteve arbitrare nëse duhet apo jo të kombinohet një paralele.
“Ai komision është i përbërë nga anëtarë të Ministrisë së Arsimit dhe BNJVL-së dhe obligimi i tyre është që për një afat kohor të arsyeshëm, unë do të thosha prej 4 deri 6 javë, të dalin me një zgjidhje dhe kjo është një afat kohor të cilin ne ia kemi caktuar grupit të punës. Për momentin ata janë duke punuar në këtë rast, dhe besojë se shumë shpejtë, ata do të dalin me rekomandime se si kapërcehet kjo situatë”, tha Pançe Kralev, Ministër i Arsimit dhe Shkencës.
Kralev nuk mohoi se në Maqedoni funksionojnë shumë paralele të kombinuara, por sipas tij, nuk duhet të manipulohet me numrin e nxënësve, dhe shkrirjen e paraleleve gjegjësisht paraleleve që duhet të kombinohen.
“Në Maqedoni ka një numër të madh paralelesh të kombinuara dhe fakti se ekziston nevoja për këto paralele të kombinuara nuk mund të mohohet, pasi në disa mjedise rurale, thjesht nuk ka numër të mjaftueshëm të nxënësve, por kushtet në bazë të të cilave miratohet vendimi që të kombinohet një paralele duhet të jenë të harmonizuara dhe të rishikohet, e me këtë të miratohet një sistem me të cilin para së gjithash vetëqeverisja lokale por edhe MASH-i do të kenë përgjegjësi të qarta dhe të sakta për të kontrolluar këtë mekanizëm”, u shpreh Pançe Kralev, Ministër i Arsimit dhe Shkencës.
Ndërkohë, nxënësit që këtë fillim vit u përballën të parët me problemin e paraleleve të kombinuara, ata shqiptarë të Lisiçes së Epërme, u detyruan të kthehen në bankat shkollore, sipas formatit të paraleleve që krijoi komuna, duke qëndruar kështu në pritje të një vendimi të komisionit për paralelen shqipe të mbyllur. Valmir Kuçi

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat