Promovohet projekti për sigurinë në Shkolla

Maqedonia

Promovohet projekti për sigurinë në Shkolla

Më: 2 tetor 2012 Në ora: 09:26

Ministrja e Brendshme Gordana Jankullovska prezantoi sot vazhdimin e projektit “Siguri në shkolla” i cili po realizohet nga Zyra për Parandalim pranë Sektorit të Punëve të Brendshme Shkup dhe OSBE-ja. Gjatë realizimit të projektit, nxënësit përmes grupeve mësojnë si të mos shkaktohet dhuna dhe si të bashkëpunojnë me policinë dhe t’i besojnë uniformave. Ministrja Jankullovska tha se kriminaliteti në mesin e të miturve vazhdon të mbetet i lartë.

“Kur flasim për më të rinjtë, patjetër duhet të ballafaqohemi me faktin jo të dëshiruar se vitin e kaluar kishim dy herë më shumë prishje të rendit dhe qetësisë me dhunë nga ana e nxënësve. U regjistruan 103 raste krahasuar me 59 të një viti paraprak kur u paraqit sjellje e dhunshme nga ana e nxënësve. Gjatë incidenteve nxënësit në të shumtën e rasteve kanë përdorur dhunë fizike, në 85 raste, pastaj në 9 raste janë përdorur sende të forta, në 6 të tjera është përdorur thikë, në dy raste me pushkë është gjuajtur ndaj nxënësve dhe në një rast me pushkë është goditur një nxënës në pjesën e kokës”, tha Gordana Jankullovska, ministre e Punëve të Brendshme.

“Shkollat kanë rol të rëndësishëm në mbrojtjen e fëmijëve nga dhuna, ndërsa punonjësit arsimorë kanë për obligim të sigurojnë mjedis të sigurt që do të respektojë dhe do të mbështes besimin dhe zhvillimin e fëmijëve”, tha Pançe Kralev, ministër i Arsimit.

Shefi i misionit të OSBE-së në Maqedoni Ralf Bret tha se realizimi i projektit ka mundësuar që nxënësit të njihen më shumë me punën e policisë, të vizitojnë stacionet policore, të njihen me pasojat nga dhuna si dhe të mësojnë më shumë për të drejtat themelore të njeriut.

“Atmosfera e lirë ju mundësoi nxënësve të kuptojnë sjelljen e tyre personale lidhur me tolerancën dhe respektin ndaj ndryshimeve. Në fazën finale të projektit, një numër i madh i nxënësve kanë theksuar rritjen e besimit ndaj policisë si dhe shkatërrimin e stereotipave lidhur me policinë. Është me rëndësi që projekti po mundësojë rritjen e ndërgjegjes së nxënësve lidhur me paragjykimet për grupe të caktuara ose individë”, tha Ralf Bret, shef i misionit të OSBE-së.

Vitin e kaluar në projektin “Siguri në shkolla” u përfshinë 5 shkolla të mesme duke inkuadruar nxënës të vitit të parë dhe të dytë. Ndërkohë, në projektin e sivjetmë janë përfshirë edhe 9 shkolla fillore, me nxënës nga klasat e 7-a dhe 8-a.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat