Ndalimi i peshkut, paralajmërohen masa reciproke ndaj Maqedonisë së Veriut

Maqedonia

Ndalimi i peshkut, paralajmërohen masa reciproke ndaj Maqedonisë së Veriut

Më: 29 qershor 2019 Në ora: 12:54
Foto ilustrim

Për ndalimin e peshkut të Kosovës nga autoritetet e Maqedonisë së Veriut, ministri i Tregtisë dhe Industrisë, Endrit Shala ka paralajmëruar masa reciproke ndaj këtij shteti fqinjë.

Ministri Shala pohon se ankesa e prodhuesve kosovarë për shkeljen e marrëveshjes së CEFTA-s nga ana e Maqedonisë së  Veriut është dorëzuar në sekretariatin e CEFTA-s dhe presin reagimin e tyre të shpejt.

Po ashtu, edhe komuniteti i biznesit dhe prodhues të peshkut janë shprehur të shqetësuar me vendimin e institucioneve maqedonase të marrë më 1 qershor.

Shala: Kosova do të ndërmerr masa në raport me Maqedoninë Veriore

“Kohët e fundit unë kam një shqetësim nga prodhuesit e peshkut në Republikën e Kosovës se Maqedonia ka marrë një vendim për ndalimin e eksportit nga Kosova në Maqedoni, pra si lëndë të parë të produkteve të peshkut. Këtë ankesë të prodhuesve tanë e kemi orientuar në vijën e asaj si e parash marrëveshja e CEFTA-s. Jemi duke pritur feedback(reagimin) nga Sekretariati i CEFTA-s dhe në momentin kur kjo mosmarrëveshje nuk zgjidhet ashtu siç e përcakton marrëveshja e CEFTA-s, Republika e Kosovës do të ndërmerr masa të njëjta në raport me Republikën e Maqedonisë”, theksoi ministri Shala.

Pronar i “Trofta” në Istog, Ismail Bytyqi thotë për KosovaPress, se shteti maqedonas obligon bizneset për çdo maunë me peshk të paguhet 700 euro. Kjo për “Trofta”, është shumë problematike ku do të dëmtohen mjaft si prodhues të peshkut.   

“Në dy vitet e fundit që kemi bërë eksport në këtë veprimtari, në vitin 2017 kemi eksportuar deri në 50 tonë në Maqedoni, ndërsa në vitin 2018 kemi eksportuar vetëm 30 tonë, ngase kishte  mungesë uji. Por tani kemi gjendjen më të mirë dhe ka kërkesa të eksportojmë 60-70 tonë, por meqë jemi të bllokuar, detyrohemi të eksportojmë përmes tregut shqiptar me çmim më të lirë dhe dëmtohemi këtë vit 350 mijë euro”, thotë Bytyqi.

Pronari i “Trofta”, që është anëtare e Odës së Afarizmit të Kosovës(OAK), kërkon nga MTI-ja që të marrin masa reciprociteti në produktet e Maqedonisë.

Oda e Afarizmit të Kosovës (OAK) fillimisht kishte shprehur shqetësimin për vendimin që ka marrë Republika e Maqedonisë së Veriut për ndalimin e shtijës së rasadit të Peshkut nga Kosova, shqetësim ky që është pranuar nga biznesi anëtar ‘Trofta’, në Istog.

“Me këtë vendim zvogëlohet edhe më shumë eksporti i Kosovës i cili edhe ashtu është jashtëzakonisht i ulët (90 % importojmë dhe 10% eksportojmë). Për më tepër, është vendosur edhe një taksë prej afër 700 euro për çdo hyrje të kamionëve të peshkut në Maqedoni”, thuhet në reagimin e OAK.

Edhe drejtori programor në Institutin e Riinvest, Visar Vokrri pohon për KosovaPress, se ky vendim nuk është rasti i parë, kur Maqedonia e Veriut, apo ndonjë shtet tjetër anëtare i marrëveshjes së CEFTA-s, aplikon barriera të tilla tregtare në raport me Kosovën, ndonëse kësaj radhe Maqedonia ka vendosur të ndaloi eksportimin e produkteve të peshkut nga Kosova.

Vokrri kërkon masa reciproke në raport me Maqedoninë, jo për produktin e peshkut, por për ndonjë produkt tjetër i cili shtynë palën maqedonase që ta rikonsiderojnë këtë masë.

Vokrri: Në shumicën e rasteve reagimet e Sekretariatit CEFTA nuk kanë efekt

“Konsideroj që institucionet relevante në Kosovë fillimisht duhet të adresojnë këtë çështje duke përdorur kanalet zyrtare institucionale. Pra, në këtë rast e kemi sekretariatin e CEFTA-s dhe nëse shohim që nuk ka ndonjë reagim, që fatkeqësisht në shumicën e rasteve reagimet kanë qenë ose të vonuara ose nuk kanë pasur ndonjë efekt, atëherë duhet të shikohet mundësia e ndërmarrjes së masave reciproke në raport me Maqedoninë, ndoshta jo për produktin e peshkut por ndonjë produkti tjetër i cili shtyn palën maqedonase që ta rikonsiderojnë këtë masë”, thotë Vokrri.

Po ashtu, edhe Klubi i Prodhuesve ka reaguar ndaj vendimit që ka marrë Republika e Maqedonisë së Veriut për ndalimin e importit të peshkut nga Kosova, ndalesë e cila vjen nga rregullorja për import dhe transit, ku listës së vendeve të treta u ndalohet importi i peshkut të gjallë, i cili është për rritje apo shitje e që janë me prejardhje nga Kosova, por që në asnjë pjesë të rregullores nuk tregohen arsyet e këtij ndalimi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat