Zabërgja vë bast për katër ndeshjet e sotme

Futboll

Zabërgja vë bast për katër ndeshjet e sotme

Nga: Kemajl Goca Më: 21 qershor 2016 Në ora: 10:51
Dior Zabërgja në një veprim

Gjermania futet si favoritë i madh dhe e bindur se do ta mposhtin Irlandën Veriore, në takimin e xhiros së tretë të grupit C në Euro 2016. Ballafaqimi Gjermani-Irlanda Veriore do të luhet sot në orën 18.00 në stadiumin “Parc des Princes” në Paris. Sfida tjetër mjaft interesante do të jetë në mes Ukrainës dhe Polonisë. Ukraina kërkon pikët e para, kurse Polonia beson në fitore, në takimin që do të zhvillohet në orën 18.00 në stadiumin “Stade Velodrome” në Marseille. Në grupin C, Gjermania së bashku me Poloninë kanë nga katër pikë, ndërsa Irlanda Veriore është në vend të tretë me 3 pikë dhe Ukraina e fundit me 0 pikë. Në grupin D, sfida në mes Kroacisë dhe Spanjës, pa dyshim se cilësohet më atraktivja. Kroatët besojnë se do të dalin të pamposhtur, kurse Spanja mëton të ruajë serinë e fitoreve. Ky takim luhet në stadiumin “Stade de Bordeaux” dhe fillon në orën 21.00. Ballafaqimi në mes Republikës së Çekisë dhe Turqisë, do të jetë mjaft i nxehtë. Çekët shpresojnë në fitore dhe e cila mund t ‘i kualifikojë, kurse turqit kërkojnë pikët e para. Ndeshja mes këtyre ekipeve luhet në orën 21.00 në stadiumin “Stade Bollaert-Delelis” në Lens. Në grupin D, Spanja udhëheq me 6 pikë, dy më shumë se Kroacia, kurse Çekia pozicionohet në vend të tretë me një pikë dhe Turqia e fundit me zero pikë. Futbollisti i Vëllaznimit nga Gjakova, Dior Zabërgja, ka parashikuar se cila do të jetë më afër triumfit. Ai për gazetën kombëtare “Bota sot” tha se Gjermania dhe Spanja janë favoritë të mëdhenj. “Gjermania është favoritë absolut dhe duke e parë që kanë pikë të barabarta me Poloninë, andaj i duhet fitorja domosdo për të dalë e para në grup. Gjermania besoj që do të fitoj. Ukraina-Polonia? Polonia ka kombëtare më cilësore se Ukraina dhe ka pikë të njëjta me Gjermaninë dhe shpresojnë me dalë në vendin e parë. Kroacia-Spanja? Spanja është ndër kombëtaret favorite për me fituar kampionatin. Gjithashtu edhe Kroacia ka kombëtare me lojtarë shumë cilësorë dhe besoj që do kenë sukses në këtë kampionat, por kanë ndeshje të vështirë me Spanjën. Spanja fiton, sepse nuk do të lejojë befasi, ngase në rast të humbjes bie në vend të dytë. Çekia-Turqia? Me afër qëllimit janë çekët, pasi kanë një pikë. Megjithatë, besoj që do të ndodh skenari i njëjtë si në grupin A. Besoj që Turqia e ka mundësinë e fundit me përfunduar në vendin e tretë dhe besoj që do ta shfrytëzoi lojën e fundit me Çekinë. Mendoj se fiton Turqia”, thotë Zabërgja.

Basti i Dior Zabërgjës
Irlanda Veriore-Gjermania 2
Ukraina-Polonia 2
Kroacia-Spanja 2
Çekia-Turqia 2

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat