S’ka riformatizim, Mustafa thotë se do të përcillet puna e ministrave (Video)

Kosova

S’ka riformatizim, Mustafa thotë se do të përcillet puna e ministrave (Video)

Më: 2 qershor 2016 Në ora: 14:37
Isa Mustafa e Kadri Veseli në konferencë për media

Kryeministri Isa Mustafa ka emëruar zëvendëskryeministër Hajredin Kuçin ndërsa ministër të Punëve të Jashtme Enver Hoxhajn.

Kuçi njëkohësisht do ta mbajë edhe postin e ministrit të Drejtësisë, post që e kishte pasur deri më tash. Këto emërime u bënë sot zyrtare në një konferencë të jashtëzakonshme për media, që Mustafa mbajti bashkë me kryetarin e Kuvendit Kadri Veseli . Veseli tha se së bashku me partnerin e koalicionit janë dakorduar për emërimet e bëra dhe se këto janë pjesë e vazhdës së reformave.

Veseli: Emërimet pjesë e vazhdës së reformave

“Së bashku me partnerin e koalicionit, sot jemi dakorduar që të kemi dy emërime të reja, të cilat do t’i kemi sot. Ne të njëjtën kohë këto emërime, janë pjesë e vazhdës së reformave të cilat kryeministri me vizionin e vet qeverisës, do të ia thotë dhe vet do të mendon për të ardhmen edhe riformatizimin e Qeverisë, ashtu siç e mendon. Është përgjegjësi e kryeministrit. Por ne e kemi bërë emërimin e zëvendëskryeministrit nga PDK i cili do të jetë profesori i nderuar Hajrdin Kuçi, nënkryetar i PDK-së dhe do të vazhdon për një kohë dhe ministër i drejtësisë. Në të njëjtën kohë do të kemi dhe ministrin e ri të punëve të jashtme, përkatësisht zëvendëskryetarin e PDK-së Enver Hoxhaj”, tha ai.

Ndërsa tha se janë takuar me kryeministrin Mustafa për t’i dhënë mbështetje të fuqishme koalicionit qeveritarë, por dhe për të marrë vendime të përbashkëta për ndërmarrje të reformave, të cilat kanë të bëjnë me përmirësimin e situatës ekonomike në vend.

Veseli: I kemi dhënë mbështetje të fuqishme koalicionit

“ Jemi takuar së bashku me partnerin e koalicionit për të dhënë mbështetje të fuqishme kryeministrit të qeverisë së Kosovës dhe koalicionit qeveritar në procesin e vazhdimit të koalic ionit tonë deri në vitin 2018. Në të njëjtën kohë kemi marrë edhe disa vendime të përbashkëta të cilat dëshirojmë të ia komunikojmë edhe ju. Në rend të parë jemi marrë vesh që të kemi një etapë të re, veçanërisht kryeministri i republikës së Kosovës është shumë i impenjuar në atë drejtim, të ndërmarrjes së reformave të cilat kanë të bëjnë me përmirësimin e situatës ekonomike në Kosovë, veçanërisht krijimin e mundësive të punësimit të njerëzve tanë të rinj. Në të njëjtën kohë krijimin e një situate, e cila është më e favorshme veçanërisht në fushën e zhvillimit të bizneseve tona vendore dhe tërheqjen e investitorëve”, tha Veseli.

Ndërsa i pyetur se kur do të bëhet ratifikimi i Demarkacionit në Kuvend dhe se a i kanë votat e duhura, ai tha se do të veprojnë në bazë të interesave të qytetarëve dhe sovranitetit të vendit, duke ftuar opozitën që të marrë përgjegj ësinë që i takon.

Ndërsa kryeministri Isa Mustafa tha se janë marrë vesh që në muajin e ardhshëm në vijim të analizojnë bashkërisht performansën e ministrive dhe ministrave përkatës.Ndërsa tha se edhe gjatë kësaj periudhe Qeveria ka arritur që të përmbush objektivat, që i ka përcaktuar si objektiva kryesore dhe se kanë gatishmërinë që si partner kryesor të koalicionit të punojnë bashkërisht deri në fund të mandatit, që t’i plotësojnë premtimet që i kanë dhënë qytetarëve.

Mustafa: Zgjidhje që do të kontribuojë efikasitetit të punës së Qeverisë

“Është një zgjidhje që do t’i kontribuojë efikasitetit të punës së Qeverisë dhe afirmimit të Kosovës edhe brenda edhe jashtë dhe realizimit të synimeve tona qeverisëse. Me kryetarin e PDK dhe kryetarin e kuvendit sot kemi biseduar së bashku për shumë tema, kemi konstatuar se do të fokusohemi edhe më shumë në çështje zhvillimore, në mënyrë që të krijojmë perspektivë për njerëzit...Jemi marrë vesh që në muajin në vijim të analizojmë bashkërisht përformansën e çdo ministrie, çdo ministri dhe çdo zëvendësministri dhe të punojmë pastaj në ristrukturimin e qeverisë”, tha Mustafa.

Ndryshe, në këtë takim u tha se partnerët e koalicionit janë marrë vesh që në vitin 2017 të fillohet me Ligjin për Sigurime Shëndetësore, pasi që është një situatë e vështirë në fushën e shëndetësisë. Ndërsa u tha se edhe Ligji për Trepçën do të aprovohet shumë shpejtë dhe ai do të përkoj me interesat e vendit.

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat