Gjobëvënia për drogën, Klement Kastrati kërkohet në Greqi

Kronikë e zezë

Gjobëvënia për drogën, Klement Kastrati kërkohet në Greqi

Më: 29 maj 2016 Në ora: 08:44
Ilustrim

Prangosja e dy personave në fier nën akuzën e rëndë të gjobëvënies si dhe të tentativës së vrasjes ka bërë që grupi hetimor të kërkojë të dhëna në lidhje me të shkuarën e tyre. Ndërkohë që në lidhje me personin e tretë, atë të kërkuarin saktësohet se Policia e Shtetit ka vënë në lëvizje autoritetet policore greke për të sjellë në pranga pikërisht Klement Kastratin, personin që i mbijetoi asaj prite fatale në Mbrostar të Fierit në fillim-janarin e këtij viti. Julian Caka dhe Gentian Kica, janë vënë në pranga nën një sërë provash të pakundërshtueshme ndërsa bëhet me dije se në lidhje me Kastratin policia i ka të dhënat e duhura për vendqëndrimin e tij.

Referuar burimeve të Policisë së Shtetit bëhet me dije se dy të arrestuarit të cilët priten të dalin para gjykatës ditën e sotme, janë të dyshuar edhe për akte të tjera të rënda, të cilat lidhen kryesisht me ngjarjet e dy viteve të fundit në zonat e Fierit. Policia në rastin e fundit, kur një qytetar ishte dorëzuar para frikës së edhe mund të ekzekutohej fare nëse nuk arrinte të gjente sasinë e drogës ose të paguante gjobën që donin dy të arrestuarit, ka mësuar se bëhej fjalë për një grup të fuqishëm kriminal të cilët e kishin kthyer shtëpinë e shtetasit A.B në një bazë të grumbullimit të lëndës narkotike. Policia nuk bën me dije se cili ishte korridori në të cilin do të lëviznin lëndën të arrestuarit por bëhet me dije se tre të akuzuarit kishin mundur të operonin mu në qendër të qytetit për të grumbulluar lëndën e kushtueshme.

Mirëpo, policia ndërsa ka tentuar të sigurojë fakte dhe prova në lidhje me tentativën për vrasje të shtetasit A.B dhe të vënies së gjobës ka arritur të humbasë konkretisht Kastratin, personin kyç në fakt që prej më shumë se 5 muajsh është bërë i njohur për shkak se në mjetin e tij u ekzekutua njeriu i tij. Blutë kanë mundur të fiksojnë vendndodhjen për shkak të bisedave që janë bërë mes palëve, pra mes Kastratit dhe vëllait të Lul Cakës në lidhje me gjetjen e lëndës narkotike dhe lëvizjen edhe të një sasie tjetër që sërish do të vinte në banesën që kishin përvetësuar Caka e Kica

Burimet tregojnë se shtetasi A.B. është marrë në mbrojtje nga ana e policisë bashkë me familjen e tij dhe se tashmë ai do të jetë edhe dëshmitari i akuzës përballë grupit që dyshohet se kryesohej konkretisht nga Klement Kastrati. Sipas të dhënave policia ka nënë hetim edhe persona të tjerë që dyshohen të jenë pjesë e grupit, ndërkohë që nuk bëhet fjalë se prej sa kohësh e ushtronin këtë aktivitet tre të dyshuarit.

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat