Veshje për Pashkë, fustane me motive vezësh dhe qirinj

Life style

Veshje për Pashkë, fustane me motive vezësh dhe qirinj

Më: 1 maj 2016 Në ora: 11:51

Në vigjilje të Pashkëve, stilistja Katerina Zoto ka realizuar një koleksion veshjesh të quajtura “Fabergé”. Ajo ka kombinuar ngjyrat dhe motivet e vezëve perandorake me format e fustaneve të shekullit XVII, duke i përshtatur veshjet për ditët e sotme. Duke formuar një teksturë interesante, ajo ka realizuar gjithashtu një fustan me shkrirje qirinjsh mbi tekstil. Si i lindi kjo ide, sa kohë i është dashur për të krijuar veshjet dhe kujt i dedikohet ky koleksion, ajo i rrëfen në intervistën për “Shekulli”- n, duke folur gjithashtu edhe për pasionin për modën dhe stilimin.

Si të lindi ideja që të realizosh këto fustane për Pashkët?

Para se t’i përgjigjem pyetjes, më duhet të cilësoj dy gjëra. Rastësia dhe parandjenjat duket sikur janë gjeneza e çdo krijimi që unë bëj. Kam venë re shpesh pasi përfundoj një veshje, që ka elemente të njëjtë me trendet që lançojnë shtëpitë e mëdha të modës edhe pse unë nuk i kam shfletuar më parë këto trende. Nëse do të jetonim jashtë vendit me siguri që do të isha një parashikuese shumë e mirë e modës (Buzëqesh). Dhe pastaj vjen rastësia që i bashkëngjitet të parës. Isha duke lexuar një libër për Katerinën e Madhe të Rusisë dhe e has nëpër rreshta këto fjalë “I dhuroi një vezë”. Nuk i kushtova vëmendje në fillim dhe vazhdova leximin, por fill të nesërmen po shihja një dokumentar që po shfaqej në televizion dhe që fliste për një muze të famshëm në Rusi, në Saint Petersburg ku ndodheshin një seri të famshme vezësh të qua jtura Fabergé. Ç’të shihje?! Mrekulli të fshehura në vezë. Mbajnë emrin e krijuesit të tyre dhe veza e parë është porositur nga Cari Aleksandër III, si dhuratë për gruan me rastin e 20-vjetorit të tyre. Brenda vezës fshihej një dhuratë.

Krijimi i Fabergé i impresionoi të dy dhe ai porositi edhe një tjetër vezë për vitin pasardhës e kështu me radhë. Çdo vezë mban një histori, një ngjarje. Vendosa direkt që të filloja një koleksion të quajtur “Fabergé”. Nga ato vezë gjen inspirim pa fund. Kombinimi i ngjyrave, motivet, elemente të ndryshme të hapin një oreks të paparë për të punuar. Duke qenë brenda atmosferës së librit me perandoreshën Katerina si dhe nga larmia e vezëve perandorake, u ktheva pas në kohë, siç bëj shpesh, dhe krijova një koleksion veshjesh për Pashkë me të njëjtin emër. Këto veshje kanë të kombinuar ngjyrat dhe motivet e vezëve perandorake me format e fustaneve të shekullit XVII, por më të thjeshtuara dhe të përshtatura për ditët e sotme dhe për të gjitha ato vajza që duan të ndihen si mbretëresha. Një nga veshjet është realizuar në formën e një vepre artistike, pasi ka një teknikë të veçantë. Duke e lidhur festën e Pashkëve me vezën, kishën dhe qirinjtë, kam realizuar një fustan me shkrirje qirinjsh mbi tekstil, duke formuar një teksturë interesante.

Sa kohë të është dashur për të punuar secilin prej tyre?

Të gjitha veshjet i kanë motivet e punuara nga sipër dhe më janë dashur rreth 5 ditë për secilin. Ndërkohë që, fustanit me qiri i shtohet një punë më e madhe për shkak të vështirësisë së materialit jo të zakonshëm.

Kujt i dedikohet ky koleksion?

Veshjet e koleksionit janë të porositura që në konceptimin e parë. Parimisht mund të gjente veten kushdo që pret nga veshjet që ato të flasin.

Si ka lindur tek ty pasioni për stilimin?

Pasioni për stilimin ndoshta ka lindur me mua edhe pse nuk jam unë që e kam vënë re, sepse e kam parë si një dëshirë për të bukurën dhe të veçantën, por këtë pasion e ka identifikuar dhe ushqyer rrethi social ku kam bërë pjesë. Gjithmonë kam dashur të kem një profesion, ku krijimi të jetë në thelb të vëmendjes, dhe të pasurohet dita-ditës. Mund të them që kudo që kam shkuar kam rënë në sy për një stil unik që nuk inspirohet nga tendencat e fundit, por i ka rrënjët në kulturë, në vepra artistike të cilat më tërheqin në botën e tyre. Ndoshta këtu qëndron dhe çelësi i të qenët e veçantë dhe ndryshe. Tendencat e reja që sot gjithmonë e më shumë vinë e ikin sa hap e mbyll sytë për vetë faktin se, moda është një biznes, janë të rëndësishme për të qenë “IN”, por jo thelbësore për të krijuar. Duke qenë se, komentet nga të tjerët për look-un tim në përgjithësi sa vinin e shtoheshin, fillova ta shikoj si një profesion ku unë do të ndihesha vetvetja dhe kështu ndodhi. Ky pasion ka ekzistuar, ka lindur e është rritur me mua, por ka qenë në një kambanë të qelqtë deri sa unë vendosa ta hap e ta zbuloj se deri ku shkon kumbimi i saj.

E sheh të lehtë të ardhmen tënde në këtë fushë?

Bota e modës është një fushë më e gjerë nga ç’mund ta mendojë shumëkush. Ka shumë lloj profesionesh që ajo përfshin në vetvete dhe të jesh një stilist është vetëm një nga shumë mundësitë që të ofron moda. Mund të jesh një kurator imazhi, gjë që mua më tërheq po njësoj sa edhe krijimi dhe personalizimi i veshjeve. Unë jam mësuar të punoj shumë e të mos i lë dy gurë bashkë. E bukura më tërheq në gjithë kompleksitetin e saj, kështu që veten e shoh të angazhuar në fushën e modës jo duke i qëndruar fanatike një fushe të caktuar, por duke eksploruar kudo që më jepet mundësia, duke i ngjyrosur kështu ditët e mia me nga një ngjyrë të re e pa renë në përsëritje.

Së shpejti, pjesë e një ekspozite me temë emigracionin

Katerina Zoto ka marrë pjesë në sfilata 6 vite pa ndërprerje, duke u përfshirë kështu në botën e modës dhe fushat e saj. Aktualisht po punon për një ekspozitë dhe sfilatë që ka në fokus temën e emigracionit. Ndërkohë është pedagoge edhe në Universitet.

Si i cilëson pjesëmarrjet në sfilatat e para?

Pjesëmarrja ime në sfilatat e para përsëri ka pasur impakt në publik, dhe vura re se, njerëzit e pëlqenin stilin tim, edhe pse pak i guximshëm. Kjo ka qenë një shtysë për mua për të ecur përpara dhe për t’u ofruar atyre atë që tashmë e prisnin nga unë.

Sa vite ke që merresh me stilim?

Kam më shumë se 6 vite që merrem me stilimin, duke qenë pjesë e pandarë e ekspozitave dhe sfilatave të ndryshme që kanë në fokus promovimin dhe identifikimin e talenteve të reja, megjithatë më janë hapur dyert shpejt dhe më janë dhënë përgjegjësi më të mëdha se thjesht prezantimi i veshjeve të mia, dhe shpesh unë kam qenë pjesë e stafit organizativ për të zgjedhur të rinj të talentuar dhe për të kuruar sfilata të ndryshme. Duke qenë se, veshjeve të mia iu shtoj elemente nga folklori më është dashur të bëhem pjesë e ekspozitave edhe me grupmosha më të mëdha, pa lenë pas edhe pjesëmarrjet e mia të vazhdueshme në sfilata fëmijësh, ku emri im është renditur përkrah emrave të njohur të modës shqiptare dhe jo vetëm.

Me çfarë merresh aktualisht?

Aktualisht po punoj për një ekspozitë dhe sfilatë që ka në fokus temën e emigracionit. Pjesëmarrja në të tilla evente me tema të caktuara të detyron të prekësh pak edhe aktrimin, duke qenë se në fillim duhet të futesh në rol, duhet të veshësh një petk të caktuar e duhet ta mendosh veten në vendin e dikujt tjetër, derisa inspirimi të vijë në një nivel frutdhënës e të fillohet puna me veshjet. Gjithashtu jam duke punuar si pedagoge në universitet.

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat