Vajza pa fat në dashuri: Fala gjithçka por të dy më lanë

Life style

Vajza pa fat në dashuri: Fala gjithçka por të dy më lanë

Më: 8 shkurt 2016 Në ora: 23:25

Jam nga një qytet jo shumë i madh dhe jam rritur në një familje të qetë. Prindërit e mi kanë punuar gjithë jetën dhe kanë qenë njerëz shumë të mirë, pavarësisht se pa shkollë. Babai im ka qenë shofer, ndërsa nëna ime ka qenë infermiere. Unë jam fëmija i madh dhe kam edhe një vëlla e një motër. Tashmë unë jam dyzet vjeçe dhe jetoj në Prishtinë.

Më sipër thash që jam rritur në një familje të qetë. Prindërit e mi kanë qenë njerëz të mirë, por jo shumë modernë apo të pashëm apo si mund t’i quani. Kanë qenë njerëz të respektueshëm dhe të respektuar për qetësinë që kanë pasur, por jo persona që të binin në sy. Edhe unë me vëllanë e motrën trashëguam nga prindërit jo vetëm karakterin e paqtë, por edhe pamje më se normale. Nuk mund të them se kemi qenë fëmijë të shëmtuar, por as të bukur që të binim në sy. Në shkollën tetëvjeçare të tre kemi qenë shumë mirë, por në shkollë të mesme asnjëri nuk kemi ndritur. Edhe në shoqëri kemi qenë natyra të tërhequra. Unë si më e madhja, pas këmbënguljes së vazhdueshme të babait tim, shkova në shkollë të lartë dhe e mbarova me rezultat jo shumë të mirë. Pastaj, fillova punë në një zyrë ekonomike dhe na dha goxha dorë edhe rroga ime në shtëpi.

Si më hyri vetja në qejf?

Si të gjitha vajzat, edhe mua të qenit në punë më bëri që të rrija para pasqyrës pak më shumë. Kështu, fillova të vishesha edhe më bukur, të krihesha më bukur dhe me të vërtetë ndryshova për të mirë. Megjithëse edhe vetë e pranoja ndryshimin, sjellja me ndershmëri (në mund ta quaj kështu) më ishte rrënjosur aq shumë nga familja ime sa mbarova shkollën e lartë dhe nuk zura të dashur. Po prisja princin e kaltër në një shkollë fshati ku unë fillova punën si sekretaresh e shkollës.

Dhe, kështu vazhdova edhe për një vit e gjysmë si ekonomiste, duke qenë ndër punonjëset më të rregullta, e shoqëruar gjithmonë në grup, pa i lënë shteg askujt që të më fliste apo shikonte. Pra, duke zbatuar rregullin e “artë” të nderit, isha e izoluar nga kushdo. Por, edhe me këtë izolim në stafin ku punoja kisha rënë në sy për mirë, të gjithë më flisnin e respektonin. Njëri nga kolegët e mi një ditë, pas përshëndetjes së përhershme më tha: “Bija ime, dua të të them diçka, por nuk mundem këtu në zyrë. Mund ta bëjmë rrugën deri te autobusi bashkë dhe të ta them shkurtimisht!”.

Përnjëherë ndjeva se u skuqa, sikur po bëja ndonjë pakt turpi. Ai ishte rreth të gjashtëdhjetave dhe ishte burrë shumë serioz, por unë isha shumë e turpshme.

Pasi mbaruam punën, u bashkuam me kolegë dhe u nisëm për te stacioni i autobusit, që e kishim rreth gjysmë ore larg. Rrugës, kolegu im filloi menjëherë muhabetin që kishte nisur më parë.

“Ajo që dua të të them ka lidhje me djalin e kushëririt tim. Ti më dukesh vajzë serioze dhe mendoj se mund të shkoni me njëri-tjetrin. Djali i kushëririt tim jeton në Gjermani”.

“Nuk di si të të përgjigjem, i thash, por do mendohem”.

Në shtëpi u përpoqa të harroja ato që fola me kolegun tim, por e pamundur. Ditëve në vijim skuqesha sa herë që e shikoja në shkollë. Pas dy javësh kur erdhi im at në shtëpi tha që kishin pirë kafe me kolegun tim. Ai ia kishte thënë të gjitha atij…

Pas një kohe kolegun tim e hasa me një djalë që s’e kisha parë asnjëherë. Ma mori mendja se kush ishte… Pasdite, ashtu me këmbë e duar që më dridheshin, dola dhe shkova te kafja ku e kishim lënë. I gjeta në kafe kolegun dhe djalin për të cilin më kishte folur. U takuam dhe shkëmbyem përshëndetjet e rastit. Sigurisht që muhabetin e kurdisi gjithë kohën kolegu dhe duke më njohur edhe mua sa e turpshme isha, më nxori nga situata edhe kur skuqesha.

Si nisëm me sms?

Pas nja një ore e gjysmë u çuam, por kolegu, si burrë i shkathët, tha: “Sikur t’i marrim numrin e telefonit koleges sime?”.

Ashtu me të qeshur e me të skuqur bashkë i dhashë numrin dhe pas pesë minutash më erdhi mesazhi i parë. Dhe, mesazh pas mesazhi, atë pasdite vendosëm që do të takoheshim pas dy ditësh. Herët e tjera folëm e u takuam vetëm ne të dy dhe pëlqimi qe i dyanshëm. Ai, pastaj, u kthye në Gjermani, e ne vazhduam me telefon edhe për shtatë muaj të tjerë.

Kur erdhi pas shtatë muajsh, telefonatat tona u finalizuan me fejesën tonë, e cila zgjati katër vjet rresht… Dikur filloi as të mos më merrte në telefon, nuk erdhi as për Vitin e Ri, që kishim vendosur të martoheshim dhe të fillonim procedurën e dokumenteve. Shumë shpejt e kuptova se e kisha humbur. Pas një viti gjithçka mbaroi. Prindërit e tij erdhën dhe me shumë turp thanë se ai jetonte me një gjermane…

Dhembje e turp bashkë…

Krizën e ndarjes e kalova për gati dy vjet jo vetëm me dhimbje, por edhe me turp, se unë jetoja në një qytet të vogël. Atëherë vëllai im që ishte në Londër tha se do blinte një shtëpi në Prishtinë dhe unë mund të shkoja të jetoja atje, me shpresën se do ta kaloja jo vetëm krizën, por do kisha mundësi të njihja njerëz të tjerë.

Dhe, kështu ndodhi, pas dy vite e gjysmë ndarje, u njohja me kushëririn e një shoqes sime dhe shumë shpejt u fejuam. Jetova me të fejuarin tim për afro dy vjet në shtëpinë e vëllait tim. Shkonim edhe në shtëpinë e prindërve të tij shumë shpesh për festa, edhe te të mitë. Nuk kishim bërë dasmë dhe ceremoni, por megjithatë kalonim mirë…

Shumë shpejt mbeta edhe shtatzënë. Shkoja e vija në punë me autobus dhe kujdesesha që të mos shtypesha në autobusët e tmerrshëm ku hipim çdo ditë. Isha në muajin e pestë të shtatzënisë ndërkohë që po kthehesha për në shtëpi, kur në autobus plasi një sherr mes një udhëtari me një tjetër që e akuzonte se po e vidhte. Sherri i tyre përfundoi me grushte e shtyrje dhe njerëzit ndërkohë që përpiqeshin të mbroheshin për vete, u shtynë e u përplasën tek unë fatkeqja. Them fatkeqja se atë ditë unë e humba foshnjën, megjithëse shkova menjëherë në spital…

Unë nuk ndjeja vetëm dhimbjen për humbjen e frytit, kisha edhe një parandjenjë të keqe. Dhe, parandjenja ime u vërtetua pas dy muajsh…

“Shpirt, kam një lajm të mirë për ne të dy, më tha ai, teksa hiqte këpucët sapo hyri në shtëpi. “Do të shkoj në specializim në SHBA, që zgjat dy vjet dhe shpresoj të bëj diçka që të të marr edhe ty e të jetojmë atje”.

Ndërsa rrotullonte nëpër shtëpi e kuptova se e humba. Asgjë nuk mund të bëhej që të shkoja edhe unë. Fillimisht flisnim çdo ditë, pastaj ditët filluan të largoheshin derisa një ditë më tha se ai nuk e shtynte dot më vetëm dhe se do të ishte më mirë të ndaheshim, sepse ai nuk do të kthehej më.

Dhe, koha ime e bukur kur isha shtatzënë mbaroi dhe unë jetoj e vetme në shtëpinë e vëllait tim. Tashmë, kam fituar imunitet që të mos i shoh si qenie njerëzore meshkujt, sepse me të vërtetë ma kanë vrarë shpirtin…

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat